SHKODËR-Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e regjistruar mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku 25-vjeçari Andri Vulaj, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Ylberi Lulin dhe ka lënë të plagosur babain e 24-vjeçarit, Qemal Lulin. Konflikti mes viktimës dhe autorit dyshohet se ka nisur në zonën e Gjuhadolit, pas një përplasjeje verbale që lidhej me një vështrim mes tyre.
Më pas Andri Vulaj ka shkuar pranë banesës së Ylber Lulit, ku është përfshirë në një konflikt fizik me 24-vjeçarin dhe babain e tij, 63-vjeçarin Qamil Luli. Gjatë debatit, dy të rinjtë janë përleshur fizikisht, ku ka ndërhyrë dhe babai i viktimës, Qamil Luli, 63 vjeç. Andri Vulaj u plagos me thikë, e me pas në konflikt e sipër ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të tyre. Sipas dëshmisë paraprake të dhënë nga Vulaj, ka pretenduar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në qytetin e Shkodrës, pikërisht në banesën e viktimës. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e motivet e krimit. Arma e krimit, pistoletë është sekuestruar dhe autori i dyshuar Andri Vulaj u arrestua në vend ngjarje.