
TIRANË-Prej ditësh, tregtarët e Kombinatit janë përballur me një aksion të Bashkisë Tiranë, që synon t’i largojë nga hapësirat ku ata kanë tregtuar fruta dhe perime për vite të tëra. Sipas tregëtarëve aksioni është i padrejtë dhe po shkatërron burimin e tyre të vetëm të jetesës. Tregtarët akuzojnë Bashkinë për indiferencë, duke thënë se për vite me radhë kanë punuar në këto hapësira pa ndërhyrje. Ata shprehen se Bashkia po vepron në mënyrë të papritur dhe pa ofruar alternativa të drejta për ta.
“Kemi bërë 15 ditë aksion dhe kemi mbajtur emrat e tregtarëve që shesin fruta dhe perime,” deklaroi një përfaqësues i grupit të punës, pa dhënë një zgjidhje konkrete për të gjithë tregtarët e prekur.
“Kemi vite që punojmë këtu dhe askush nuk na ka shqetësuar. Tani po na lënë pa asnjë mundësi për të ushqyer familjet,” tha një prej tregtarëve.
Gjithashtu tregtarët dhe banorët e zonës po kërkojnë që Bashkia të ndalojë largimet dhe të ofrojë një zgjidhje të drejtë që nuk cenon jetesën e tyre./ZËRI