Aktualitet

Tejkaloi detyrën, pezullohet efektivi i “Shqiponjave” që dhunoi protestuesin! Hetim për dëmtimin në sy të 28-vjeçarit

Sipas njoftimit të policisë, si pasojë e incidenteve mbetën të plagosur pesë punonjës policie dhe u dëmtua në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli.

zh.ll
Tejkaloi detyrën, pezullohet efektivi i “Shqiponjave” që
pamje nga incidenti-efektivi i pezulluar nga puna pasi dhunoi qytetarin

TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar dhe ka nisur hetimet lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, si pasojë e incidenteve mbetën të plagosur pesë punonjës policie dhe u dëmtua në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli. Për këtë të fundit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka urdhëruar hetimin e plotë dhe të paanshëm të ngjarjes, ndërsa po për këtë rast, kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Një tjetër rast i bërë publik lidhet me pamjet e shpërndara me shpejtësi në rrjetet sociale, ku një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” shfaqet duke goditur me shkop gome një protestues të shtrirë në tokë. Lidhur me këtë rast, pas publikimit të pamjeve, Policia bën me dije se është ka pezulluar nga detyra inspektorin A. K., për dyshimet mbi tejkalimin e kompetencave dhe mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit.

Policia bën me dije gjithashtu se, 5 punonjës policie u plagosën pasi u sulmuan me gurë, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës gjatë protestës së planifikuar mesditën e datës 24.10.2026.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkoi drejtuesve të shërbimeve dhe punonjësve të angazhuar në terren vetëpërmbajtje dhe zbatim të parimit të proporcionalitetit në rast të përballjes me akte dhune.

Gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes së djeshme dhe u shtri në disa pjesë të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Si pasojë e sulmeve të personave të maskuar dhe të dhunshëm, 5 punonjës policie u plagosën.

Lidhur me incidentin gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve përkatëse nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes.

Po në lidhje me këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për lëndimin e të riut gjatë protestës dhe i uron atij shërim sa më të shpejtë, ashtu si të gjithë qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë që janë lënduar gjatë protestave në Tiranë.

Ndërkohë, pas publikimit në media të një rasti ku një punonjës policie shfaqet në tejkalim të detyrës dhe mosrespektim të parimit të proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra punonjësin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor A. K., dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin administrativ.

Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari është një detyrim parësor i Policisë së Shtetit dhe do të hetohet me paanshmëri e profesionalizëm çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës.

Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të mos tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin, me të drejtat e qytetarëve dhe me standardet profesionale që duhet të udhëheqin punën e çdo punonjësi të saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB