
ELBASAN- 21 protestues, të cilët morën pjesë në tubimin e Bradasheshit në Elbasan janë shoqëruar në Komisariat. Në Elbasan, protestuesit e opozitës bllokuan rrethrrotullimin e Bradasheshit, duke shkaktuar një trafik të rënduar prej disa kilometrash. Kështu që pa përfunduar mirë tubimi, 21 protestues janë shoqëruar.
Të shoqëruar janë protestuesit: Hamza Lamce, Arben Pjetri, Agron Beqiri, Hamit Tabaku, Altin Bica, Edmond Pojani, Albi Bylykbashi, Aurel Bylybashi, Sokol Shkelzeni, Daniela Gjini, Dorian Koldashi dhe Enver Lamçe.
Pas shoqërimit të qytetarëve, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, tha se protestuesit ishin me duar në xhepa kur u morën nga Policia e Shtetit. Nga Komisariati i Policisë, ai së bashku me deputetin Tomor Alizoti thanë për mediat se do të kujdesen të mësojnë emrat e të gjithë atyre efektivëve që shkelën ligjindhe shoqëruan në mënyrë të padrejtë protestuesit që ndryshe nga vendet e tjera, nuk shkaktuan incidente.
“Ishte ndërhyrje e paprovokuar e policisë e cila ushtroi dhunë ndaj protestuesve. Ka të dhunuar ka të shoqëruar, po përpiqemi të marrim vesh bilancin, por ka 4-5 persona të shoqëruar. Tani do nisemi drejt komisariatit të bëjmë të gjitha procedurat për ti nxjerrë se kemi të bëjmë me persona që po protestonin me duar në xhepa dhe u provokuan, dhe u dhunuan nga policia e shtetit nga forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe nga civilë pa shenja identifikuese,”-tha Kaso.
Në Elbasan, protestuesit e opozitës bllokuan rrethrrotullimin e Bradasheshit, por tubimi u zhvillua edhe në 5 pika të tjera shumë të rëndësishme për qarkullimin e mjeteve. Protesta e fundit e opozitës u mbajt më 7 Tetor pas burgosjes së ish-deputetit të PD, Ervin Salianji, ndërsa protesta e sotme u njoftua menjëherë pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta./ZËRI