
TIRANË- Ka nisur edhe sot protesta e qytetarëve dhe aktivistëve për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Canit. Kjo është protesta e katër që organizohet për të miturin që mbeti i vrarë pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij, Mario Përlleshi. Qytetarët kanë nisur marshimin nga shkolla ku ndodhi ngjarja "Fan Noli" për të përfunduar para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Protesttuesit kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, për të cilën pretendojnë se nuk ka reaguar si duhet për ngjarjen e rëndë që tronditi vendin. Po ashtu, kërkojnë edhe rritjen e numrit të psikologëve duke arritur një raport 1 psikolog për 200 nxënës, qëndrimin në shkollë deri në orën 16:00 si dhe bllokim të gjuhës së dhunës dhe urrejtjes në rrjetet sociale. Paralelisht, qeveria po bën takime me prindërit në të gjithë vendin për vendosjen e filtrave apo dhe bllokimin total të aplikacioneve "Snapchat" dhe "TikTok", por ende nuk është marrë një vendim.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Tashmë, ai është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI