TIRANË- Avokatura e Shtetit ka reaguar për ndërhyrjen e policisë në ambientet e News 24, duke sqaruar situatën ligjore lidhur me pronën shtetërore në zonën e Shkozës, që ishte në përdorim nga shoqëria "Fokus Media News."
Në deklaratë Avokatura e Shtetit sqaron se pas përfundimit të kontratës së qirasë më 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte kërkuar nga shoqëria lirimin e ambienteve deri më 25 korrik 2022. Megjithatë, "Fokus Media News" nuk ka dorëzuar pronën dhe ka kërkuar masa sigurimi për të penguar ekzekutimin e detyrimit.
Proceset gjyqësore për këtë çështje kanë vazhduar për më shumë se dy vjet, duke përfshirë vendime të Gjykatës së Shkallës së Parë, Apelit dhe Gjykatës së Lartë. Vendimi më i fundit, datuar 14 korrik 2025, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambienteve dhe ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk do të cenohet, pasi mund të realizohet në hapësira të tjera.
Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave më 12 mars 2025, pronësia e këtij pasurie i është kaluar shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a., e cila do të përdorë ambientet për projektin e bashkëprodhimit të mjeteve motorike, duke synuar rivitalizimin e industrisë ushtarake dhe krijimin e vendeve të punës.
Avokatura e Shtetit ka theksuar se do të ndjekë çdo mjet ligjor të mundshëm për të siguruar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbrojtjen e pasurive shtetërore, duke e konsideruar këtë detyrim të panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.
Ndërkohë, procedurat ligjore për marrjen në posedim të pronës janë në zhvillim e sipër.
Deklarata e plotë e Avokaturës së Shtetit:
Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.
Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale.
Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.
Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi.
Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit.
Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.
Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike.
Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike.
Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive.
Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e siper, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas perfundimit te kontrates.
Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues".
Mëngjesin e sotëm Policia e Shtetit ka rrethuar godinën e News 24 duke mos lejuar punonjësit të futen brenda godinës. Ky hap vjen pasi kontrata e grupit mediatik për godinën ka disa vite që ka mbaruar. Tashmë godina do të përdoret për "KAYO", kompaninë e prodhimit të armëve me vendim të qeverisë për përdorimin e saj në funksion të shoqërisë. Lidhur me këtë ngjarje nuk kemi ende asnjë reagim nga Policia./ ZËRI/