
RRËSHEN- Një elektriçist ka ndërruar jetë pak minuta më parë në Kodër Rrëshen. Punonjësi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Emiljano Bunga, ka humbur jetën pasi po tentonte që të lidhte me energji elektrike një ish-shkollë, e cila do të shërbejë si qendër votimi të dielën më 11 maj. Por nuk ishte i vetëm.
Bashkë me të po punonin edhe dy elektricistë të tjerë, të cilët aktualisht janë transportuar në spital, por ende nuk ka asnjë detaj lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore. Rryma i mori jetën 34-vjeçariy Emiljano Bunga. Për ngjarjen, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit.
“Rreth orës 12:00, në Rrëshen, shtetasi E. B., rreth 37 vjeç, elektricist, gjatë punës në një shtyllë elektrike, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, dhe për pasojë ka humbur jetën. Gjatë punës janë dëmtuar lehtë edhe shtetasit Z. P., 60 vjeç, dhe T. D., 58 vjeç, elektricistë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi Policia e Lezhës pas ngjarjes së rëndë./ZËRI