TIRANË-I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ka rrëfyer në GJKKO rolin e Xhuliano Hoxhës në vrasjen e Emiljano Ramazanit, krim i ndodhur më 20 Korrik të vitit 2020. I penduari deklaroi se ditën e ekzekutimit të Emiljano Ramazanit ka komunikuar me Xhuliano Hoxhën. Alibej theksoi se pas kryerjes së krimit, i dërgoi Nuredin Dumanit një shumë prej 80-85 mijë euro.
Erjon Alibej; Unë ia kam treguar. I kam thënë se kush është. I kam dhënë informacione edhe për Elio Bitrin. Ne nuk kishim një plan konkret. Nuk kishim një listë. Shikonim dhe e vlerësonim si do vepronim. Emiliano Ramazani ka qenë njëri i afërt i Talo Celës, i Mikael Qoses i vëllezërve Çopja. Kisha informacione pa fund për të. Emiliano rrinte gjatë në palestër. Nga dita kur u nisëm për ekzekutimin e tij e derisa ai doli nga palestra, Xhuliano ka qenë gjithë kohës aktiv. Ka qëndruar aty dhe kemi folur bashkë në vijimësi në SKY ECC. Për mua ishte i besueshëm informacioni. Ditën e ekzekutimit vetëm ai ka qenë informator. Për vrasjen e Emiliano Ramazanit kam komunikuar me Nuredinin. Duhet të çoja pagesën tek rrethi tek TEG. Kam dërguar Arsen Preçin atje me 80-85 mijë euro. Mesa mbaj mend ka shkuar një vajzë me taksi atje, që ka marrë lekët. Xhulianon e kam paguar gjatë gjithë kohës.
Vrasja e Runajt dhe Ramazanit
Vrasja e Runajt dhe Ramazanit ka ndodhur në vitin 2020 në Elbasan. Gjykata ka dhënë një dënim edhe më të rëndë, nga se ka kërkuar Prokuroria e Posaçme. Kjo e fundit kishte kërkuar 30 vite burg për Xhuliano Hoxhën dhe 12 për Euglent Halilin. Emiljano Ramazani u vra më datë 20 korrik 2020. Ai u ekzekutua poshtë shtëpisë, kur po markonte makinën e tij. Autorët e vrasjes ishin tre persona, ku njëri ka qëlluar me breshëri automatiku. Vrasja e Ramazanit dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh, pas mosmarrëveshjeve për drogën. Pak ditë pas kësaj vrasje, është gjetur i vdekur dhe miku i Ramazanit, Regis Runaj, 23 vjeç. Ai ishte vrarë më thikë dhe trupi i pajetë i është gjetur pranë varrezave të qytetit, në një rrugë të braktisur./ZËRI