DURRËS- Një incident i regjitruar në Durrës është bërë viral në rrjete sociale, pas publikimit të një video ku dy drejtues mjetesh përfshihen në një konflikt fizik me njëri-tjetrin.
Siç duket në video, një drejtues makine zbret nga automjeti i tij dhe godet me shpullë një person që drejtonte motorin. Sipas videos, debati duket se nis pasi drejtuesi i motorit i drejtohet me fjalë shoferit të makinës, i cili më pas zbret nga automjeti dhe e godet.
Pamjet janë ripostuar nga ish-deputeti demokrat, Myslym Murrizi, i cili pretendon se personi që është në motor dhe që u qëllua është shefi i Komisariatit të Krujës Elton Shahini. Ky i fundit ka qenë më parë shef i komisariatit nr.1 në Tiranë.
“Kjo video tregon se ku është katandisur shteti.
Ky me motor që e rrahin në mes të rrugës në Durrës, para një muaji, si gomarin në duhan, është shefi i Komisariatit Krujë, Elton Shahini, dhe ish-shef i Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.
Ky që e rreh, si duket, duhet të ketë të “drejtë”, se ndoshta i ka zënë rrugën ose mund ta ketë “vartës”, nëse ky që e rreh është pjesë e “strukturave” që e kanë emëruar.
Ndoshta është edhe oficer i SHISH-it, të Trëndafilë Vlora Hysenit, dhe ka marrë “urdhër” që t’ia fikë “radarin” shefit të Komisariatit të Krujës.
Ehhh, ku jemi katandisur!
Kur rrihet në mes të rrugës një shef komisariati, vaj medet çfarë sigurie do të ofrojë kjo polici për qytetarët.
Dhe jo vetëm e ka rrahur, por nuk e ka lënë të bëjë as denoncim, si duket.
Bela e madhe kur je i emëruar e i promovuar nga klane të pista apo bota e krimit: edhe të rrahin, edhe nuk të lënë të “qash”.
Me siguri, SHISH-i i Durrësit duhet të ketë “bërë” raport për këtë ngjarje “argëtuese” për qytetarët që ishin të pranishëm aty në këtë moment “pikant”, shkruan Murrizi krahas videos. /ZËRI