
FERIZAJ- Autori për sulmin me thikë me katër të plagosur në Ferizaj është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës. Ai do të mbahet 48 orë në burg dhe më pas do të dalë para Gjykatës, nën akuzat për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.
Prokuroria e Ferizaj bën me dije se autori është një person me një të shkuar kriminale. Ai ka qenë i dënuar me burgim për vrasje në vitin 2016 dhe ishte lënë i lirë në shkurt të këtij viti.
Dje, policia raportoi se arrestoi një person si të dyshuar, por rezultoi se nuk ishte ai autori i sulmit.
Rreth orës 15:00 një person sulmoi me thikë 4 persona në Ferizaj, dy prej tyre ishin të mitura që ndodheshin në qytet për të vizituar të afërmit e tyre. /ZËRI