TIRANË- 36-vjeçari turk, Halil Uçar, mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pasi u qëllua me armë një tjetër shtetas turk, ende i paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në një restorant në kryeqytet, ndërsa është zbardhur dinamika e plotë. Sipas burimeve pranë policisë, autori dhe i plagosuri kanë qenë në tavolina të ndara dhe në kate të ndryshme. Pasi ka mbaruar darkën, autori është ngjitur në katin e dytë, ku i ka drejtuar armën 39-vjeçarit dhe e ka qëlluar në shpatull.
Pas ngjarjes është arratisur me shpejtësi, ndërësa përmes kamerave të sigurisë është siguruar një foto e autorit të dyshuar kur largohet nga vendi i ngjarjes.
Deri më tani, sipas hetimeve paraprake nuk përjashtohet mundësia e ndonjë hakmarrjeje të mundshme për konflikte të tyre në Turqi. Sipas burimeve, një sherr që ka nisur që në Turqi dyshohet të jetë shkaku i atentatit të mbrëmjes të së hënës. Megjithatë, shkaku dhe rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta. I plagosuri është marrë në pyetje nga hetuesit, ku ka pretenduar se nuk e njeh autorin e ngjarjes dhe se nuk ka asnjë konflikt me të.
Ndërkohë, në vendngjarje dhe te tavolina ku ka konsumuar darkën janë përftuar materiale gjenetike të plota për identifikimin. Përmes Interpolit po punohet me autoritetet turke për të sqaruar jo vetëm identifikimin, por edhe problemet që mund të kenë pasur./ZËRI
