Aktualitet

Plagosën me thikë dhe kosore tre persona, arrestohen babë e bir në Berat

Mësohet se dy autorët kanë shkuar të pajisur me thikë dhe kosore në banesën e 49-vjeçarit dhe pas konfliktit fizik i kanë qëlluar me mjetet prerëse.

I.F
Plagosën me thikë dhe kosore tre persona, arrestohen babë e bir
Foto ilustruese

BERAT- Tre persona kanë mbetur të plagosur me thikë dhe kosore në Dimal të Beratit, pas një konflikti. Policia ka arrestuar si autorë të dyshuar 65-vjeçarin Bastri Xhalili, të dënuar më parë dhe djalin e tij 24-vjeçar, Emiljano Xhalili të dy banues në fshatin Goriçan. Ata akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim” dhe “Prodhimi, mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Dy të arrestuarit kanë plagosur një 49-vjeçar, djalin e tij 24 vjeçar, dhe të afërmin e tyre 18-vjeçar, i cili gjatë konfliktit ka qenë në banesën e të plagosurve. Mësohet se dy autorët kanë shkuar të pajisur me thikë dhe kosore në banesën e 49-vjeçarit dhe pas konfliktit fizik i kanë qëlluar me mjetet prerëse.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, pas njoftimit të marrë se në fshatin Goriçan, Dimal, mbasditen e djeshme, po ndodhte një konflikt ndërmjet disa shtetasve, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar shtetasit: B. XH., 65 vjeç (i dënuar më parë) dhe E. Xh., 24 vjeç, (babë e bir), të dy banues në fshatin Goriçan, Dimal, për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim” dhe “Prodhimi, mbajtaja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”

Këta shtetas dyshohet se mbasditen e djeshme, kanë shkuar me mjete prerëse (thikë dhe kosore), në banesën e shtetasit S. Xh., dhe pasi janë konfliktuar, kanë plagosur me mjet prerës (thikë dhe kosore), shtetasit S. Xh., 49 vjeç., J. Xh., 24 vjeç (babë e bir) dhe E. Xh., 18 vjeç, (i afërm i tyre, i cili ndodhej në banesën e shtetasit S. Xh, kur ndodhi konflikti). Të dëmtuarit kanë marr mjekim në Spitalin Rajonal Berat, jashtë rezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme", njofton policia. /ZËRI

Poll

MOS HUMB