Aktualitet

Pikëpyetjet e vrasjes së palestinezes, një video intime dhe “çështja e nderit”

Dyshja u vendosën përkohësisht në Tiranë në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, ku as pronarit të banesës nuk i kanë dorëzuar mjete identifikimi.

F.m
Pikëpyetjet e vrasjes së palestinezes, një video intime dhe
Rayyan Alwan

TIRANË- Rayyan Alwan u soll në Shqipëri vetëm për tu vrarë? Kjo është pyetja që ka mbetur ende pa përgjigje nga i gjithë krimi që tronditi kryeqytetin.

Ajo ishte vetëm 24 vjeçe, nga Palestina, por kishte jetuar në Gjermani. E reja kishte qenë e martuar më herët dhe ishte nënë e tre fëmijëve të mitur, të cilët jetojnë me babanë e tyre. Por, çuditërisht, më datë 19 shkurt, ajo futet në Shqipëri përmes aeroportit “Nënë Tereza”, bashkë me atin 49-vjeçar, Fadi Alwan.

Mbetet e paqartë mënyra se si janë futur në vendin tonë, pasi në biletat e tyre të udhëtimit është gjetur një numër identifikimi dokumentesh nga Kosova, por kalimin në aeroportin e Rinasit e kanë bërë me dokumente greke.

Dyshja u vendosën përkohësisht në Tiranë në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, ku as pronarit të banesës nuk i kanë dorëzuar mjete identifikimi.

Ajo që dihet është se të gjithë fqinjët që kishin parë prezencën e dyshes, ishin të bindur se Rayyan dhe Fadi ishin burrë e grua dhe jo baba e bijë, për shkak se kudo ata prezantoheshin si çift, për arsye që ende nuk janë zbardhur.

Vetëm një javë pas mbërritjes së tyre në Shqipëri, fqinjët vunë alarmin dhe telefonuan pronarin e shtëpisë ku jetonte çifti, pasi prej ditësh nuk i kishin parë. Dhe mesditën e 27 shkurtit, efektivët shpërthyen derën e apartamentit ku gjetën 24-vjeçaren të masakruar me thikë dhe me gjakun e tharë, gjë që tregonte se ajo kishte ditë që ishte vrarë.

E reja ishte vrarë që më 22 shkurt, ditë kur dhe babai i saj që është shpallur në kërkim si autor i ngjarjes, është larguar nga Shqipëria.

Pas krimit, me një qetësi të frikshme, ai ka mbledhur çdo gjë që ishte bërë me gjak në apartament dhe e ka hedhur në kosha të ndryshëm në lagjen ku ishin vendosur në Tiranë, për të konfuzuar autoritetet.

Më pas, ka marrë çdo gjë që mund ta identifikonte dhe është larguar përmes aeroportit “Nënë Tereza”. Duke qenë se trupi i vajzës nuk ishte konstatuar ende, ai u ka shpëtuar të gjitha kontrolleve në kufi dhe është larguar në drejtim të Greqisë e më pas, në drejtim të Amsterdamit.

Aktualisht, ai dyshohet se fshihet në Liban.

Për të hedhur më shumë dritë mbi arsyet e kësaj vrasjeje, familjarët e tjerë të vajzës që jetojnë në Gjermani, kanë dëshmuar përpara autoriteteve dhe pista kryesore është ‘nderi’.

Nëna e saj ka rrëfyer se konfliktet e të bijës me të atin dhe vëllezërit kanë nisur pasi e reja preferonte të bënte një jetë tjetër nga ajo e familjes së saj, të mosrespektonte traditat e fesë islame dhe të ishte e lirë. Këto konflikte i kanë çuar shpesh në duart e policisë, pasi 24-vjeçarja ishte dhunuar nga i ati dhe vëllezërit.

Një tjetër detaj që ka rrëfyer e ëma ishte se e bija shantazhohej nga një person me një video nudo që ajo vetë i kishte dërguar. 

Më konkretisht, në datën 26 shkurt, e ëma ka shkuar qëta denoncojë në Polici rastin, duke rrëfyer se i kishte dhënë disa herë vajzës para për të paguar personat që e shantazhonin me video.

Por megjithatë, në kallëzim, nëna e Rayyan nuk përjashton mundësinë që personi në fjalë të mos ketë ekzistuar kurrë dhe të jetë vetë e bija ajo që e ka stisur të gjithë skemën e mashtrimit. 

Madje ajo tregoi se e bija ia kishte treguar edhe të atit videon duke shkaktuar një përplasje mes tyre.

Pikërisht pas kësaj ngjarjeje, babë e bijë kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, aty ku ndodhi dhe krimi i rëndë.

Përveç ‘çështjes së nderit’, media holandeze, "De Telegraaf", shkruan se e reja dyshohet dhe të jetë abuzuar seksualisht nga i ati para se të vritej. Megjithatë, këtë detaj mbetet që ta verifikojë ekspertiza mjeko-ligjore që do tu japë përgjigje shumë pikëpyetjeve që lidhen me këtë vrasje misterioze.

A ishte ‘nderi’ që shkaktoi vrasjen apo kishte diçka më shumë se babë e bijë mes tyre dhe përplasjet sollën masakrimin e të resë me thikë?

/ZËRI

Poll

MOS HUMB