
TIRANË-Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar, pasi ngrirjes së fondeve amerikane në vendin tonë për 90 ditë. Nëpërmjet një reagimi publik, delegacioni i BE-së thekson se ka qenë në pararojë e dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri. Në reagim thuhet se do të vijojë mbështetja buxhetore, duke treguar dhe shifrat që janë dhënë për të forcuar institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Që nga nisja e reformës në vitin 2016, BE-ja ka intensifikuar mbështetjen e saj, duke ofruar mbi 50 milionë euro asistencë teknike dhe financiare, për të forcuar institucionet e reja të drejtësisë. Në reagim përmendet edhe SPAK, ku delegacioni sqaron se ka financuar asistencën teknike për këtë institucion përmes projekteve EU4LEA dhe EU4FOCAL, me një buxhet mbi 8 milionë euro. BE thotë se SPAK ka dhënë rezultate konkrete në në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Reagimi i Delegacionit të BE në Shqipëri:
“• Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
* BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
* Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.
* Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
* Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
* SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”
Por çfarë ka ndodhur me fondet e USAID dhe përse po ndërpriten?
Asnjë nuk është suprizë! Pa u bërë ende president, gjatë fushatës elektorale, Donald Trump premtoi se nuk do të shpërndante më para për vendet e tjera, duke vendosur prioritet cilësinë e jetës së qytetarëve amerikane. Në momentin që u fut në Shtëpinë e Bardhë, e mbajti fjalën. Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, Presidenti Trump vendosi një ngrirje 90-ditore të të gjithë ndihmave për vendet e tjera. Kjo nuk do të thotë që ndërprerja do të jetë e përherëshme. Përkundrazi! Për 90 ditë, të gjitha instancat do të kontrollojnë se ku dhe për çfarë jepen fondet; nëse janë në koherencë me parimet dhe vlerat amerikane, fondet do të vazhdojnë të lëvrohen. Edhe në Shqipëri erdhi një listë me të gjitha institucionet që do t'u ndërpritej burimi i të ardhuravre nga Amerika./ZËRI