Aktualitet

Përplasja me njerëzit e Kapllanajt në Fier, SPAK: Agjentët e BKH u sulmuan pa asnjë motiv

BKH thekson se agjentët po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk jep detaje të tjera në lidhje me aksionin në fjalë. 

F.m
Përplasja me njerëzit e Kapllanajt në Fier, SPAK: Agjentët e
Agron Kapllanaj dhe BKH

TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit ka konfirmuar incidentin e ndodhur një natë më parë në Fier me nipat e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Në njoftim bëhet me dije se mbrëmjen e 15 prillit, rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier–Patos, agjentët e BKH-së janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier. Bëhet fjalë për dy nipat e Kapllanajt, Ledjan Kapllanaj, Klaudio Kapllanaj dhe një person të afërt me ta, Gerald Kollçaku. BKH thekson se agjentët po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk jep detaje të tjera në lidhje me aksionin në fjalë. 

Njoftimi zyrtar: 

Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit. Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria  Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier–Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier. Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier. SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm. SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Çfarë ndodhi një natë më parë?

Sipas dëshmisë së dhënë nga Kapllanaj, bashkëthemeluesi i “Djathtas 1912”, në kompaninë e tij në Fier, dy herë gjatë ditës është shfaqur në vendin e parkimit të firmës një automjet. Ai pretendon se pas sinjalizimit nga punonjësit dhe kërkesës për t'u larguar, personat në fjalë janë kamufluar se po filmojnë me dron pasi janë të interesuar për toka aty pranë. Në këto kushte përfaqësues të kompanisë kanë kërkuar largimin nga prona e tyre, por ata sërish nuk janë larguar dhe kjo gjë ka sjellë përplasje mes tyre. Kapllapanaj shtoi se ata kishin nxjerrë edhe armët e zjarrit. Edhe të prangosurit janë shprehur se nuk e dinin kush ishin personat me të cilët u konfliktuan pasi nuk kishin logo.

Poll

MOS HUMB