ITALI-Katër të burgosurit që udhëhoqën trazirat e 30 shtatorit në burgun e Pizës janë lënë në paraburgim. Ata akuzohen se kanë udhëhequr së bashku një trazirë brenda burgut të Pizës, ku morën pjesë 16 të burgosur të tjerë.
Mediat italiane raportojnë se bëjnë me dije se shqiptarët e akuzuar për drejtimin e revoltës janë Ilber Arshi (39 vjeç), Andrea Petroniç (43 vjeç) dhe Daniel Myrtaj (24 vjeç). Ky i fundit ishte personi që realizoi transmetimin ‘live’ nga qelia, për ç’ka ngarkohet edhe me akuzën e përdorimit të paligjshëm të telefonit brenda institucionit të ekzekutimit të vuajtjes së dënimit.
Personi i katërt i përfshirë si organizator është shtetasi kolumbian Jerson German Bolanos (39 vjeç). Revolta nisi rreth orës 19:00, pasi një i burgosur zhvilloi një transmetim live në TikTok nga brenda burgut, duke përdorur një telefon celular në mënyrë të paligjshme.
Transmetimi u ndoq nga rreth 15 mijë persona përpara se të ndërpritej. Në pamjet live të ndara në rrjete, u pa teksa të burgosurit shkatërronin ambjentet, ndërsa pati edhe zjarr në godinë. Revolta shpërtheu pasi u zbuluan pajisje përgjimi të fshehura në qeli./ZËRI
