
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ka deklaruar se nuk do të bashkojë votat me Partinë Socialiste për të shkrirë si instuticion Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Berisha tha se sapo PD të vijë në pushtet do të angazhohet ‘Komisioni i Venecias’ si institucion. Kryedemokrati u shpreh se nuk do të bashkojë kurrë votat me një “organizatë” kriminale në pushtet.
“Kemi filluar njëfarë pune sa për dijeni, me ekspertë shumë të shquar europianë, që të bëjnë një lloj vëzhgimi të kësaj dhe të gjejmë rrugë sepse populli do zgjidhje, një shtet do zgjidhje. Nuk mund të rrijë Shqipëria pa proces civil, pa proces penal. E thoshte edhe OECD, nuk vjen kush në Shqipëri për të investuar. Pra, midis atyre që protestojnë sot atje për të mbrojtur kryehajdutin e tyre dhe qytetarëve të lirë të opozitës, që protestojnë, ekziston një ndryshim si nata me ditën
Nuk është e vërtetë se bashkohemi, jo, nuk bashkohemi. E dyta, unë kam denoncuar dhe denoncoj Spakun si një organizatë kriminale dhe kam bërë sqarimet tuaja para jush. Me këtë nuk nënkuptoj çdo punonjës në atë institucion, por nënkuptoj ata prokurorë që mbyllin krime, ata prokurorë që me dokumente zyrtare gjobisin kriminelë, vrasës për t’ua lehtësuar dhe manipuluar dosjet. Po unë këto i kam dhe unë nuk mund të bëja kurrë deklarata të tilla pa prova dhe fakte të pakundërshtueshme.
Janë këto prova dhe fakte dhe interesi i qytetarëve të cilët i paguajnë aty për të luftuar krimin dhe jo për të vjelë gjoba tek kriminelët dhe për t’u pasuruar. Nuk bashkoj vota kurrë me një organizatë kriminale në pushtet”, tha Berisha./ZËRI