
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Klajdi Merkaj, një nga vëllezërit e arrestuar dhe të akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
35-vjeçari, Klajdi Merkaj u ekstradua në 20 nëntor të vitit 2024 nga Italia në Shqipëri, ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Klajdi Merkaj njihet si mik i ngushtë i vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.
"1. Kërkuesi Klajdi Merkaj me datë 10.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit”, baza ligjore neni 260 e në vijim të K.Pr.Penale.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet228, 229, 230 dhe 238 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 46, datë 03.03.2025 vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Klajdi Merkaj, vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, dhënë sipas vendimit nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, nga e nesërmja e komunikimit të vendimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar", njofton GJKKO.
Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK nisi një hetim pasuror. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të Klajdit Merkaj, Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj. Klajdi Merkaj ka pasur komunikime në aplikacionin "SkyECC" me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Franc Çopja dërgonte eurot me valixhe nga Londra dhe vende të tjera të Europës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj. Paratë më pas investoheshin në Shqipëri, duke ndërtuar komplekse rezidenciale dhe troje.