Aktualitet

'Partizani'/ Kërkoi ndryshimin e gjyqtares, GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës

Seanca e radhës do të mbahet më 5 Maj

F.I
'Partizani'/ Kërkoi ndryshimin e gjyqtares, GJKKO rrëzon
Sali Berisha

TIRANË-Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi. Kërkesë për përjashtimin e gjyqtares kishte bërë Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, Andia Pustina, si dhe shoqëria tregtare “Homeplan” sh.p.k. Të pandehurit kërkuan përjashtimin e gjyqtares, pasi e akuzojnë për njëanshmëri. 

Seanca e radhës do të mbahet më 5 Maj, ku gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidhi do të japë vendimin nëse do të pranojë kërkesën e SPAK dhe çështja do të dërgohet për gjykim, apo mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.

Janë paraqitur katër kërkesa. Nga gjykata është vendosur si më poshtë:

1. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, paraqitur nëpërmjet mbrojtësve, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.

2. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkueses shoqërisë tregtare “Homeplan” sh.p.k, paraqitur nëpërmjet avokatit, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.

3. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Jamarbër Malltezi.

4. Shpalljen e papranueshme të kërkesës së kërkueses Andia Pustina.

Seancat shënojnë plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, procesi është zvarritur vazhdimisht përmes justifikimeve të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve dhe leximit të qindra faqeve në seanca. 

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.

Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI

Poll

MOS HUMB