Aktualitet

'Partizani'/ GJKKO sërish pa vendim, Berisha kërkon përjashtimin e gjyqtares

Seanca e radhës do të mbahet më 5 maj.

F.I
'Partizani'/ GJKKO sërish pa vendim, Berisha kërkon
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi

TIRANË-Gjykata e Posaçme pritej të jepte sot vendimin në lidhje me pranimin ose jo të kalimit për gjykim të dosjes 'Partizani'. Por sërish nuk ka patur një vendim, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 5 maj. Këtë herë shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të cilët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi. Davidhi është e njëjta gjyqtare, e cila liroi, kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha nga arresti shtëpiak.

“Depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares dhe sipas procedurës, seanca u ndërpre sepse gjyqtarja as nuk mund të japë apo marrë vendim pa u shprehur një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate lidhur me përjashtimin e saj. Seanca tjetër u la në datën nëse Davidhi do të jetë gjyqtarja e çështjes, ose nëse gjykata do të pranojë kërkesën tonë për përjashtim, por paraprakisht gjykata pranoi në datë duke konsideruar faktin për të mos u vonuar nëse do të rrëzohet kërkesa jonë jemi të detyruar të vijojmë me Davidhin”, tha Gjokutaj.

Të pandehur janë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina. Në seancën e zhvilluar një ditë më parë (23 prill), avokati Genc Gjokutaj u shpreh se pala mbrojtëse kërkoi kohë për konsultim ndaj vendimmarrjes. Por, gjyqtarja Fjorela Davidhi rrëzoi kërkesat e avokatëve mbrojtës për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave të SPAK.

Seancat shënojnë plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, procesi është zvarritur vazhdimisht përmes justifikimeve të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve dhe leximit të qindra faqeve në seanca. 

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.

Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI

Poll

MOS HUMB