
TIRANË-SPAK po vëzhgon online stilin e jetesës së të dyshuarve që ka nën hetim, por edhe të rrethit më të ngushtë të tyre. Një nga metodat kryesore të gjurmimit të pasurive përfshin përdorimin e burimeve të hapura në internet, përveç databazave shtetërore. Sipas një usdhëzimi që Topchannel e disponon, hetuesit financiarë orientohen si ti zbulojnë pasuritë e pajustifikuara të personave nën hetim për krim të organizuar dhe korrupsion.
Konkretisht këqyrja e vëzhgimi i llogarive sociale, postimet në blogje, komentet në formime, galeritë e fotografive në internet, videot e postuara në YouTube. Burimet përdoren veçanërisht për të përcaktuar rrethin e miqve dhe interesave që është subjekt i analizës, stilin e jetesës së tij, vendet e argëtimit dhe rekreacionit, pasuritë e luajtshme e të paluajtshme dhe automjetet që përdoren në të vërtetë.
Njëherazi me hetimin penal ndaj shtetasve, kryhet paralelisht edhe hetim financiar ose pasuror. Që do të thotë se kushdo që përfshihet nën hetimet e SPAK i nënshtrohet profilit financiar, i cili ndërtohet nga prokurori duke analizuar pasuritë e tij dhe stili i jetesës.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar SPAK ka sekuestruar pasuri dhe llogari në vlerë 65 milionë euro, nga të cilat 36.7 milionë euro i kanë kaluar në pronësi të shtetit me vendime të formës së prerë për konfiskim.