
TIRANË- 10 efektivë policie kanë mbetur të lënduar pas shpërthimeve me molotov gjatë protestës që po mban sot Partia Demokratike. Lajmin e ka bërë me dije Policia e Shtetit. Në një njoftim të shpërndarë për media, Policia e Shtetit kërkon që protestuesit të ndalin sulmet me molotov. Po ashtu, edhe njëherë u kujtojnë protestuesëve se Policia i ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë. Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie. Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore. Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore./ZËRI