
ITALI- “Kur miqtë e Ilaria Sulës më shkruanin nëse isha me të, u nervozova dhe kuptova se dikush po përpiqej të më përfshinte në diçka që nuk kishte lidhje,"-kështu u shpreh djali që Ilaria Sula kishte njohur në aplikacionin e takimeve "Tinder". Ishte fotoja e tij, ajo që pa Mark Samsoni në telefonin e Ilarias para se ta vriste. Po ashtu, është pikërisht fotoja e tij ajo që Samson i dërgon vetes nga telefoni i Ilaria Sulës pai e ka vrarë këtë të fundit.
Qëllimi ishte që të linte të kuptohej se 22-vjeçarja ishte ende e gjallë dhe se kishte dalë në një takim romantik me të. Por, ai nuk ka pasur të bënte asgjë me vrasjen. Ai sapo e kishte njohur të renë shqiptare, kur ajo u vra nga ish i dashuri i saj.
"E takova të dielën, pak ditë para krimit. Ishim në fillim të njohjes. Folëm pak, edhe për histori të vjetra. Ajo më tha se po largohej nga një lidhje,”-tregoi i riu për "La Repubblica".
Më pas, e reja u zhduk! Disa ditë më vonë, miqtë e studentit e kontaktuan të riun.
“Ata më pyetën se ku ishte Ilaria, duke më treguar foto të mija topless,”-tregon ai. Por fotot ia kishte dërguar Mark Samson, shoqeve të Ilarias duke u hequr si e reja.
“Ne u pamë sot në mëngjes jashtë "La Sapienza" dhe ai më pyeti nëse doja të dilja sot. Do fle me të,"-i shkruante shoqeve të Ilarias-filipinezi. Madje në orën 19:42, për ta bërë më të besueshme skemën e tij i dërgoi edhe foto. Po jo vendndodhjen.
"Nuk mundem të të dërgoj foto. Unë jam praktikisht në Napoli,"-i përgjigjej Samsoni, duke vazhduar të pretendonte se është Ilaria. Por orët kaluan dhe asnjë lajm nuk u mësua më për të renë. Ndaj edhe mikeshat e saj tentuan që ta kontaktonin për të mësuar se kur ishte hera e fundit që ai e kishte parë shoqen e tyre që tashmë ishte zhdukur.
"Më pyetën se ku ishte Ilaria: në atë moment dukesha sikur isha i përfshirë, por nuk isha. As nuk ia kisha dëgjuar zërin asaj vajze. Vendosa të vihesha në dispozicion, duke u shpjeguar atyre dhe vëllait të Ilarias se ajo nuk kishte qenë kurrë më mua. Ndoshta për Samson ishte më e besueshme që të thoshte se kishte ikur në Napoli, por unë në fakt jam nga Campania. Nuk kam ndjerë kurrë ndonjë përfshirje emocionale për Ilarian, por pasi kam marrë vesh atë që ka ndodhur, jam shumë i trishtuar në nivel njerëzor”.
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë.
Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli.Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet./ZËRI