TIRANË-Është arrestuar pronari i një parukerie në Tiranë, pasi akuzohet se ka shfrytëzuar punonjëset e tij duke mos i paguar. Denoncimi u bë nga pesë gra, të cilat pretendojnë se punëdhënësi i ka mashtruar dhe u detyrohet një shume prej rreth 20 mijë eurosh paga të prapambetura.
Policia zbuloi se përveç borxheve ndaj stafit, pajisjet e punës në biznesin ‘Adelse Hair Institute', ishin futur kontrabandë, ndërkohë që aktiviteti kryhej duke fshehur të ardhurat dhe pa paguar taksat shtetërore. Në pranga përfundoi 41-vjeçari Besmir Aliko, ndërsa bashkëshortja e tij po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Njoftimi i policisë:
Nuk iu dhanë pagat (rreth 20 250 € në total), punonjëseve në subjektin e tyre (parukeri), vihet në pranga pronari dhe procedohet penalisht bashkëshortja e tij.
Gjithashtu, dyshohet se pajisjet me të cilat kryhej aktiviteti ekonomik në këtë subjekt, ishin kontrabanduar.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimeve të 5 shtetaseve, se ishin shfrytëzuar në vendin e tyre të punës (parukeri), duke mos u paguar për punën e kryer, si dhe duke u mashtruar mbi këtë aspekt, nga punëdhënësit e tyre, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Kolektivi”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi B. A., 41 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen K. B., 38 vjeçe.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe "Kontrabanda me mallra të tjera"./ZËRI