TIRANË-Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku po diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, avokati i saj mbrojtës i ka kërkuar prokurorisë të provojë pretendimet se Balluku rrezikon që të prishë provat hetimore. Avokati Ardian Kalija se Balluku ka zbatuar masën dhe nuk është paraqitur më në detyrë dhe se ka dorëzuar dokumentet personale. Mbrojtja e Ballukut ka kërkuar të rrëzohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit.
Avokati, Ardian Kalija: Prokuroria ka detyrimin që të provojë kushtet që Belinda Balluku po tenton të largohet nga vendi në një kohë kur kërkon zëvendësimin. Ajo ka zbatuar masën dhe nuk është paraqitur në detyrë. Zonja ka dorëzuar menjëherë çdo dokument personal. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës.
Mbledhja vjen pasi në 6 shkurt Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin.
Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar. Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, nga relacioni i zbardhur u zbulua se SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj./ZËRI