
TIRANË-Për shumë vite, Nuredin Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuar të Policisë së Shtetit por edhe të drejtësisë. Megjithatë i vëllai nuk ngelet mbrapa me historikun e tij. Dashnor Dumani, vëllai i vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, u ekstradua sot nga Dubai. Dashnor Dumani është dënuar nga Gjykata Penale e Kosovës për armëmbajtje pa leje, ndërsa akuzohet për vrasje dhe grabitje të armatosur.
Herën e parë që Dashnor Dumani u skedua nga policia ishte më 18 janar të vitit 2015, kur së bashku me 3 persona të tjerë u kap me “C4” në qytetin e Durrësit. Në pranga bashkë me të përfunduan: Febjus Dauti, lindur në Has dhe banues në Durrës; Asllan Plaku lindur dhe banues në Durrës dhe Bledar Plaku lindur dhe banues në Durrës. Atëherë u zbulua nga një bisedë telefonike që kishte bërë Dauti se do të shkonin që të vendosnin tritol me porosi.
Pasi kryenin porositë, grupi merrte paratë dhe më pas i ndanin me njëri-tjetrin. Shënjestrat nuk ishin domosdoshmërisht persona të caktuar, por edhe makina, komisariate policie dhe shtylla tensioni, apo ku do që të bëhet porosia. Në disa raste dilnin edhe nga zonat e tyre të influencës duke u future edhe në Krujë e Fushë Krujë. Herën që u kapën ishin nisur për “punë’. Punë që ndryshe nga herët e tjera nuk kishin mundur që ta përfundonin “me korrektësi” si shumë e shumë raste të tjera.
Më parë ai ishte dënuar në Francë "si shfrytëzues prostitucioni". Atje, kërkoi edhe azil me pretendimin se po ta kthenin në Shqipëri, do i rrezikohej jeta, por kërkesa nuk iu pranuar. Për të provuar kërcënimin tregoi për herë të parë se i vëllai ishte i përfshirë në grabitjen e Rinasit, duke parashikuar edhe përplasjen dhe përçarjen që do të ndodhte më pas. Por edhe pse u lut që të qëndronte në Francë, kërkesa nuk iu pranuar.
Por ‘rrënjët’ e Dashnor Dumanit ishin më të thella në botën e krimit. Dashnor Dumani dyshohet se ka qenë pjesë e Masakrës së Bradasheshit, ku u vranë 3 familjarë të Erion Alibej. Vetë i vëllai i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani do ta nxirrte zbuluar.
Një foto e publikuar rreth 15 vite më parë tregon dy vëllezërit me tufa lekësh ndër duar, duke zbuluar disa detaje nga fillimet e karrierës në botën e krimit. Imazhet tregonin një shtëpi modeste një kontrast i fortë me kushtet e qelisë ku Dumani ndodhet sot, i akuzuar për vrasjen e 12 personave dhe i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Por dy vëllezërit do ktheheshin në ‘armiq’, pasi i përkisnin dy grupeve kriminale rivale. Dashnori punonte për llogari të Çopjave me Talo Çelën, teksa Nuredini ishte kthyer në një ndihmës të Erion Alibej në planin e tij për të marrë hak.
Në një episod të dosjes së SPAK siguruar nga ZËRI, edhe pse në burg në Francë, Nuredin Dumani, kërkon që të komunikojë me vëllanë e tij, Dashnor Dumanin. I penduari i drejtësisë, duke përdorur aplikacionin “SkyECC” i shkruan një të njohuri të tij (i paidentifikuar me emër) që t’ja çojë telefonin e tij të vëllait, Dashnorit.
Një ndër pyetjet që Nuredin Dumani i bën të vëllait se “nga dilnin makinat për të bërë punë”, pra për të bërë vrasje. Para hetuesëve duket se Nuredini nuk e kursen aspak të vëllanë.
“Dashi më ka treguar se në atë ngjarje (masakra e Bradasheshit) kanë marrë pjesë shumë persona, ku një prej tyre është Fatos Gosa ka dhënë në vijimësi informacione në lidhje me lëvizjet e Endrit Alibej natën e atentatit si dhë në ditë të tjera para atentatit. Atë natë para se ti bëhej atentati Endrit Alibej së bashku me mamanë e tij, bashkëshorten e tij, e cila është shtetase rumune dhe në atë kohë ka qenë shtatzënë. Nga vëllai im Dashi, kam mësuar se vrasjan e Endrit Alibej është tentuar që të bëhej edhe ditë të tjera, konkretisht 5-6 ditë para ngjarjes. Persona pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë qenë Talo Çela, Altin Ndoci, Miri Haxhia, Dorian Shkoza, Mikael Qosja, Gent Sharra, Eljo Bitri, vëllai im Dashnor Dumani si dhe persona të tjerë që mund të dijë vëllai im. Në këtë ngjarje, atë natë Gent Sharra ka pasur rolin e organizimit të vrasjes sepse ai ka mundësuar vënien në dispozicion të makinës tip "Benz". Atë natë makinën ka shkuar dhe e ka marrë në këtë shtëpi Gent Sharra së bashku me vëllain tim. Për këtë ngjarje unë kam folur me Dashin nëpërmjet një telefoni të kriptuar, ku edhe e kam pyetur nëse ai ka marrë pjesë në atë ngjarje (masakrën) dhe çfarë roli ka patur. Dashi më ka treguar se ai ka marrë pjesë tek vrasja e trefishtë e Bradasheshit, ku ka qenë në një makinë me atentatorët por nuk ka goditur sepse ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe është hutuar. Në bisedë me Dashin me telefon të kriptuar SkyECC vetëm kaq kam biseduar në lidhje me këtë ngjarje. Ndërsa detajet Dashi mi ka treguar kur ka qenë në Shqipëri para se të largohej në Gjermani në vitin 20169, por në atë kohë nuk më tregoi se ai kishte marrë pjesë këtë gjë ma pohoi më pas kur ai ndodhej në Gjermani kur kemi biseduar me telefon të kriptuar. Nga Dashi kam mësuar se në atentatin ndaj Endrit Alibej dhe të afërmve të tij kanë marrë pjesë 2 makina, në të cilat kanë qenë Talo Çela, Miri Haxhia, Altin Ndoci, Dorian Shkoza dhe Dashi. Gjithashtu ka patur edhe persona të tjerë që kanë ndihmuar atentatorët atë natë, por nuk i di me emra konkret,”-rrëfen Dumani.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyEÇ": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol. Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali.
Nga ana tjetër, Dashnor Dumani u kthye pranë tij, por ngelet për t'u parë nëse do të ndjekë hapat e vëllait dhe do të rrëfehet për ngjarjet kriminale./ZËRI