
ROMË- Një mjek psikiatër në një spital në Romë, Itali është dënuar me burg, pasi ndihmoi bosin shqiptar të drogës Elvis Demçe të arratisej nga arresti shtëpiak. Mjeku italian, Andrea Pacielo ka lëshuar një çertifikatë mjekësore për të garantuar lirinë e Elvis Demçes dhe ka organizuar një vizitë, që i ka dhënë atij mundësinë të arratisej.
Sipas La Repubblica, në mënyrë që autoritetet italiane të vendosnin lirimin nga burgu dhe vendosjen në arrest shtëpiak, Demçe paguante mjekun psikiatër me 300 euro për çdo seancë, në mënyrë që të mund të ndiqte një plan specifik terapeutik në ambientet e autorizuara.
Sipas organit të akuzës, mjeku ishte vënë në dispozicion për vizita në spitalin ku punonte për të marrë lejen, që Demeçe të largohej nga vendi i paraburgimit, në mënyrë që ai të takohej brenda dhe jashtë spitalit me bashkëpunëtorët me të cilët organizonin vazhdimin e aktiviteteve kriminale. Sipas hetimeve Demçe kishte kontakte në vitin 2020 me trafikantë kolumbianë, ushtarë marokenë dhe doganierë nga Gioia Tauro./ZËRI