DURRËS- Erion Boba, 15-vjec, humbi jetën pas një sherri mes bashkëmoshatarëve që nisi nga ofendime në rrjetet sociale dhe përfundoi në përballje fizike deri në përdorimin e thikës. Boba është goditur me thikë nga një 14-vjeçar, i cili është arrestuar menjëherë pas ngjarjes.
Siç është bërë me dije edhe më herët nga të afërm dhe familjarë të viktimës, 15-vjeçari nuk ka pasur lidhje me sherrin dhe as të konfliktuarit. Ai është gjendur mes tyre për të ndihmuar shokët e tij. Ndërkohë, sipas burimeve hetimore rezulton se autori dhe viktima në fakt, nuk kishin një konflikt personal. Madje, të dy ata janë përfshirë në përplasjen mes shokut të Erionit dhe vëllait të autorit.
Në ngjarjen e 25 nëntorit, rreth 20 minuta larg shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, të dy grupet janë takuar për "t'u sqaruar" për ofendimet e shkëmbyera në rrjetin social, Tik Tok. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në momentin që dy grupet zbritën nga makinat, debati u kthye në përplasje fizike.
Mësohet se në zonën ku ndodhi ngjarja nuk ka të instaluara kamera, për këtë arsye hetuesit e kanë pasur më të vështirë zbardhjne e dinamikës. Megjithatë, dëshmitarët okularë që kanë parë sherrin mes adoleshentëve ka ndihmuar me dëshmitë e tyre. Sipas dëshmive, janë përdorur grushte, bishta çadrash, dërrasa dhe mjete të forta, por ende nuk është përcaktuar se kush mbante mjetin prerës që shkaktoi tragjedinë.
Ai që do të ishte një takim "sqarues" përfundoi me katër goditje me thikë për Erion Bobën, 2 plagë në zemër dhe 2 në gjoks. Pas ngjarjes, autori dhe shokët e tij u larguan duke marrë me vete armën e krimit, e cila më pas u gjet në makinën me të cilën kishin mbërritur në vendngjarje.
Autori u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa Boba është me urgjencë në Spitalin e Durrësit fillimisht e më pas në në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Plagët rezultuan fatale të për të miturin, i cili pas rreth 10 ditësh në reanimacion, humbi jetën.
Erion Boba, vetëm 15 vjeç, u godit me thikë nga një bashkëmoshatar gjatë një përleshjeje të nxitur nga një debat online. Katër plagë i përshkuan gjoksin, dy prej të cilave në zemër, që rezultoi të ishte fatale për të miturin. Jo më larg se dy ditë më parë, familja e Erion iu bëri thirrje shqiptarëve për ndihmë, pasi shpresat te shteti shqiptar duket se u shuan. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë.
Autori, 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, ku me keqardhje deklaroi se nuk kishte qëllim për të vrarë 15-vjeçarin. Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri deklaroi se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur./ZËRI/ZËRI



