
TIRANË- Protesta e sotme në Zvërnec që u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje të ashpra, nxiti zhvillime dhe episode jo të zakonshme. Madje, e gjithë ngjarja, u raportua në një tjetër 'panoramë' nga vetë Policia e Vlorës, në reagimin ezyrtar për detajet e asaj çfarë kishte ndodhur në protestë.
Një deklaratë, që më pas pësoi në ndjesë dhe deri në pezullim të zyrtarit të lartë të Policisë.
Çfarë ndodhi konkretisht?
Dhuna ndaj qytetarëve, të cilët protestonin, ishte 'fytyra' që përkufizon këtë proteste. Pamje të rënda që qarkullonin, me banorë që merreshin zvarrë.
Nga të dyja anët e gardhit me tela pati tensione. Banorë të revoltuar, ndërsa nga ana tjetër, punonjës të sigurisë private të papërmbajtshëm, që shpërthyen në sharje, ofendime e deri në dhunë kafshërore.
Një nga episodet më të diskutueshëm që raportoi ZËRI ishte ai i një protestuesi, që në fakt ishte Policia e Vlorës ajo, që e solli në vëmendje, teksa raportoi se qytetari ishte futur në hapësirën e punonjësve private e për pasojë kishte përfunduar i dëmtuar.
"Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.", njoftonte policia.
Por...si ishte e vërteta? Në pamjet e plota të siguruara nga ZËRI, historia ishte tjetër. Qytetari, jo vetëm që nuk kishte tentuar të kalonte hapësirën. Përkundrazi, u tërhoq nga pala tjetër dhe fluturoi mbi telën mbi gjemba. Edhe këtu ishte tjetër histori. Ai 'u rrëmbye' dhe u dhunua nga punonjësit e sigurisë private.
Nuk ka vonuar shumë dhe menëjherë pas raportimit të ZËRI-t, ka ardhur reagimi i Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita pezulloi nga detyra Shefin e Policisë Vlorë, Elidon Çela. Madje, në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit kërkoi ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar. Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë", thuhej në njoftimin e Policisë./ZËRI


