
SHBA- Janusz Bugajski, analisti i njohur i çështjeve euroaziatike dhe Ballkanit, ka ndërruar jetë. Lajmin e ka konfirmuar ish-drejtori i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, i cili ka shprehur një dhimbje të thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij të afërt.
Në një postim në rrjetet sociale, Biberaj theksoi se mungesa e Bugajskit do të ndihet thellë nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe punuar me të. Ai e cilësoi Bugajskin si një analist brilant, i cili ka ndikuar në mënyrën se si e kuptojmë rajonin euroaziatik.
"U trondita dhe u pikëllova thellësisht kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të afërt, Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, një autor tepër produktiv, botimet e të cilit ndikuan thellësisht në mënyrën se si e kuptojmë rajonin, dhe një mbrojtës i palëkundur i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe lirisë së shtypit. Ai ishte një mysafir i rregullt dhe shumë i vlerësuar në transmetimet e “Voice of America”, ku analizat e tij ishin gjithmonë të qarta, parimore dhe të thella në përmbajtje. Gjatë viteve kemi punuar së bashku në shumë projekte, veçanërisht në ato që lidhen me Ballkanin. Gjatë kësaj kohe, unë mësova ta admiroj jo vetëm për intelektin e tij, por edhe për integritetin, humorin fin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave që ai mbronte me pasion. Mungesa e tij do të ndihet thellë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta njihnim dhe të punonim me të. Do të më mungojë jashtëzakonisht shumë," -shkruan Biberaj.