Aktualitet

Minatorët e Spaçit në protestë, akuzojnë "TETE Albania" për hakmarrje me largime nga puna

Kompania, nga ana tjetër, ka refuzuar të ulet në bisedime me përfaqësuesit e sindikatës, duke argumentuar se kjo sindikatë nuk plotëson kriteret ligjore.

l.k
Minatorët e Spaçit në protestë, akuzojnë "TETE
Foto nga protesta

SPAÇ- Minatorët e Spaçit po protestojnë për kushte më të mira pune dhe për njohjen e sindikatës që ata kanë krijuar. Pas dhjetë ditësh protestë, ata akuzojnë kompaninë turke "TETE Albania" se po hakmerret me shkarkime kolektive të punëtorëve. Rreth 70 minatorë të minierës kanë bojkotuar punën dhe kërkojnë që sindikata e tyre të njihet dhe të nënshkruhet një kontratë kolektive për të garantuar të drejtat në punë.

Kompania, nga ana tjetër, ka refuzuar të ulet në bisedime me përfaqësuesit e sindikatës, duke argumentuar se kjo sindikatë nuk plotëson kriteret ligjore. Minatori Dritan Lleshi u shpreh për mediat se kompania turke iu ka komunikuar vendimin e shkarkimit përmes telefonit.

“Jo vetëm që nuk kanë pranuar të ulen në bisedime, por kompania turke ka nisur edhe të hakmerret ndaj nesh. Ka sjellë zarfat për largim nga puna për 16 minatorë, por s’kemi pranuar t’i marrim dhe pastaj na kanë kominikuar vendimin përmes telefonit,” tha minatori Dritan Lleshi.

Minatorët e konsiderojnë këtë veprim si antiligjor, duke theksuar se ata janë në të drejtën e tyre për të protestuar. Minatori Kastriot Prenga ka paralajmëruar se minatorët do të intensifikojnë protestën në grevë urie, nëse kompania vazhdon me këto masa.

“Po na bëjnë shantazh dhe presion me largime nga puna, por ne nuk do të tërhiqemi. Po kërkojmë një të drejtë që na takon me ligj dhe Kodin e Punës. Ata vijojnë të mos pranojnë të ulen në bisedime, por ne do të përshkallëzojme reagimin tonë,” tha Prenga./ZËRI

Poll

MOS HUMB