TIRANË-Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë masa të menjëhershme për të përballuar thellimin dhe zgjatjen e papërcaktuar të krizës së karburanteve, të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme. Konfindustria kërkon hartimin dhe zbatimin urgjent të një pakete fiskale lehtësuese për të frenuar rritjen e çmimeve në treg.
Në reagimin zyrtar kërkohet që të gjitha të ardhurat shtesë në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, të rikthehen drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset përmes uljes së çmimit final. Po ashtu propozohet dhe ulja e taksës së qarkullimit të automjeteve deri në nivelin e rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja e karburanteve.
Deklarata:
Konfindustria, duke marrë shkak nga thellimi dhe zgjatja e papërcaktuar në kohë e krizës së karburanteve për shkak të luftës në Gjirin Persik, kërkon nga qeveria ndërtimin dhe zbatimin e shpejtë të paketës fiskale lehtësuese të çmimeve në treg. Konfindustria kërkon, që paketa e parë fiskale antikrizë të përfshijë të paktën dy shtylla: Së pari, gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga zbatimi i TVSH-së mbi çmimet e rritura të karburanteve krahësimisht me kohën e parakrizës, të rikthehet drejpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Së dyti, të ulet taksa e qarkullimit të automjeteve deri në masën e rritjes së të ardhurave absolute në buxhet nga TVSh-ja e karburanteve krahësimisht me çmimet në kohën parakrizë.
Masa e tretë e domosdoshme shoqëruese e paketës është ndërtimi i mekanizmit institucional për përcaktimin e çmimit tavan të shitjes me pakicë të karburanteve me qëllim që ulja e peshës fiskale të mos përfundojë vetëm në shtimin e fitimeve për tregëtarët oligopol. Çmimet me pakicë në treg kanë kapur kufijtë e 200 lekë/litër dhe kahu është për rritje të mëtejshme, që mund të krijojë pasoja shkatërruese për ekonominë, industritë dhe qytetarët. Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme do rrezikonte një krizë ekonomike të plotë dhe me pasoja të rënda shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues të vendit.
Një ditë më parë (17 mars) çmimi i naftës me pakicë ka arritur vlerën më të lartë që prej nisjes së luftës në lindjen e Mesme. Në pikat e karburantit në kryeqytet po tregtohet deri në 202 lekë, nga 173-175 lekë para luftës; një rritje me gati 29 lekë për litër./ZËRI