TIRANË- Një grua është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për vjedhjen e një shume prej 40 mijë paundësh në një market në kryeqytet. Sipas hetimeve, bëhet fjalë për Maglevina Xhakollarin, e cila është kapur nga kamerat e sigurisë teksa kryen vjedhjen. Sipas njoftimit të policisë, shuma e parave ishte lënë përkohësisht në një kasetë depozitimi nga një klient, punonjës në një pikë këmbimi valutor.
Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, Xhakollari i afrohet zonës ku ruhen çantat e klientëve dhe merr shumën e parave.
"Operacioni “Kaseta”/Arresohet një shtetase që vodhi 40 000 paunde të lëna përkohësisht, në kasetën e depozitimit në një market. Në kuadër të operacionit të koduar “Kaseta”, u vu në pranga shtetasja M. Xh., pasi dyshohet se ka vjedhur 40 000 paunde, të lëna përkohësisht, në kasetën e depozitimit në një market, nga një blerës (punonjës në një subjekt për këmbimin e valutave). Shuma e paundeve u gjet në subjektin ku punonte shtetasja M. Xh., dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.", njoftoi policia.
Mësohet se paratë i përkisnin një kambisti, i cili i kishte lënë përkohësisht në një nga kasetat e posaçme të marketit. Sipas burimeve për mediat rezulton se disa ditë para ngjarjes, gruaja kishte arritur të vidhte çelësin e një prej kasetave. Më pas, punonjësit kishin konstatuar mungesën e çelësit dhe kishin bërë një kopje të re.
Në ditën e vjedhjes, kambisti përdori çelësin kopje për të vendosur paratë në kasetë, ndërsa autorja dyshohet se ka përdorur çelësin e vjedhur më herët për ta hapur dhe për të marrë çantën me shumën e parave brenda.
Ndërkohë, paratë u gjetën dhe sekuestruan në vendin e punës ku punonte Xhakollari, një rrobaqepësi në Tiranë. /ZËRI