
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e arrestit në shtëpi për avokatin Bardhi Koçi, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Gjatë seancës, ai ka mohuar akuzat e ngritura nga SPAK, duke e cilësuar kontrollin e banesës së tij si të paligjshëm, pasi sipas tij, ai ishte kryer pa vendim gjykate.
“Gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë provë komprometuese. Duhet të provohet se cili gjyqtar apo prokuror mund të jetë korruptuar me 1000 euro. Kush korruptohet me kaq para?”, mësohet të ketë deklaruar Koçi në sallën e gjyqit.
Sipas SPAK avokati, Bardh Koçi kur ishte i punësuar si auditues i KLSH mori ryshfet nga një grua që ishte nën hetim. Avokati kërkoi 4 mijë euro ryshfet për të ndikuar në vendimin e gjyqtarit, që po shqyrtonte çështjen ndaj gruas. Për këtë të fundi GJKKO ka caktuar masën “detyrim paraqitje”. Shtetësja P.M. në vitin 2021 po gjykohej në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.
Në dosjen hetimore thuhet se Koçi ka kërkuar dhe ka marrë një shumë paraprake prej 1 mijë eurosh për të ndikuar tek gjyqtari i çështjes. Pas zhvillimit të seancës gjyqësore, ai ka komunikuar me Pranvera Mëshin, duke i kërkuar shumën e parave, të cilat janë transferuar përmes Western Union.
Në lidhje me rastin janë ushtruar kontrolle edhe në banesat e katër personave të tjerë, mes tyre atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë./ZËRI