
TIRANË- Përleshja e ndodhur në shkollën “Fan Noli” që i mori jetën një fëmije, Martin Canit që ishte vetëm 14 vjeç dhe që la të plagosur rëndë shokun e tij të zemrës e të skuadrës së futbollit, Luis Meçe, duket sikur çdo ditë, rëndon akoma më shumë këto familje, që sikur të mos u mjaftonin plagët që morën, sot gjenden edhe përballë autoriteteve.
Sot, ka dy gjëra shumë të rëndësishme që duhen trajtuar me prioritet, kurimi i Luisit të vogël, për të cilin familja e tij ka hapur dhe një “Gofundme” dhe zbardhja e ngjarjes.
Sa persona qëlluan me thikë? A kemi një autor apo dy?
A është Mario Përlleshi, i vetmi 14-vjeçar që ka qëlluar me thikë duke lënë të vdekur Martin Canin, duke plagosur Luis Meçe dhe duke u lënduar edhe vetë në njërën dorë?
Apo kemi dhe një autor të dytë? Cili ishte roli i të miturit tjetër, Kledion Bejkaj?
Le të ndalemi në këto pika…
Fiqiri Meçe, në një prononcim për ZËRI-n nuk hodhi poshtë në asnjë moment kurën që i është ofruar djalit të tij në Spitalin e Traumës, i cili vetëm pak orë pas hapjes së “Gofundme” për mbledhjen e 80 mijë eurove për kurimin e Luisit, u nxitua të dilte në përfundimin se 14-vjeçari nuk ka nevojë për asnjë trajtim ekstra atij që i është ofruar.
Në fakt, babai i Luisit ka pasur rezervat e tij për mënyrën e trajtimit të djalit të tij në këtë spital, kryesisht për mungesën e psikologes, gjë që u nënkuptua edhe në reagimin e vetë spitalit.
“Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive,”- thuhet ndër të tjera në reagim.
Dhe fjala “i mundur”, siç duket nuk përkon me kërkesat e familjes së Luisit që kërkojnë me patjetër një garanci që djali i tyre do të rikthehet sërish në fushën e blertë dhe këtë herë, për të nderuar edhe kujtimin e Martinit.
Rrjedhimisht, në të drejtën e tyre, familja ka hapur një “Gofundme” që duke parë shpejtësinë me të cilën u mblodhën paratë, duket se 14-vjeçari ka gjetur mbështetjen e të gjithë shqiptarëve dhe përsa kohë kjo nuk cënon aspak ‘xhepin’ e institucioneve shtetërore, përse një shqetësim kaq i madh për dëshirën e familjes Meçe për ta vijuar kurimin e djalit jashtë vendit?

Sot, zyrtarisht Policia e Shtetit reagoi e indinjuar me të gjitha mediat që kanë raportuar për ekzekistencën e autorit të dytë në ngjarjen tragjike të 18 nëntorit. Në fakt, për dijeni të institucionit në fjalë, mediat, e vetmja gjë që kanë bërë, ka qenë raportimi i njëpasnjëshëm i çdo ngjarjeje, të bazuar në fakte.
Për praninë e një personi të dytë që pretendohet të ketë qëlluar gjithashtu me thikë, ZËRI ka cituar:
1. Dokumentin e publikuar ku shihet shkresa e firmosur dhe nga Oficeri i Policisë Gjyqësore që ka marrë deklarimin përkatës, që në këtë rast ishte Igli Mollaj.


2. Babain e vetë Luis Meçes që bazuar në fjalët e të birit e ka përsëritur shumë herë në media këtë deklaratë.
Për emrin e Kledion Bejkajt dhe për pretendimet se ky 14-vjeçar u përjashtua nga ngjarja pasi babai i tij është Maksim Bejkaj, hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa nëna e tij është Nevila Bejkajt, Specialiste e Regjistrave dhe Statistikës pranë Prokurorisë së Posaçme, ZËRI i është referuar kryedemokratit Sali Berisha.
-
Berisha: Ja pse Policia fsheh vrasësin e dytë të Martin Canit!
26 Nëntor, 13:01
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, pretendoi se adoleshenti ishte mbajtur i fshehtë nga Policia e Shtetit për shkak të pozitës së dy prindërve të tij. Madje Berisha pretendoi se ka edhe fotot e personave të dyshuar që kanë marrë pjesë në ngjarje, por ka zgjedhur që të mos i publikojë.
Megjithatë, personi i dytë, është vetëdorëzuar në polici dy ditë më parë dhe i mituri, në prani të hetuesve, është çuar sërish në vendin e ngjarjes, ku ka treguar dinamikën e sherrit.
Shqiptarja.com, duke cituar burime zyrtare shkruante se personi i dytë, shoku i Mario Përlleshit që akuzohet si autori i vrasjes së Martin Canit, ka shpjeguar se roli i tij ka qenë për të ndarë palët dhe përmes kamerave të sigurisë, është provuar nuk ka qenë i pranishëm në momentin e vrasjes.
“Burimet thanë se personi në fjalë, shok i autorit të dyshuar, ka qenë në fillin të sherrit, por pasi ka marrë një goditje me grusht është larguar,”- shkruhet në artikullin e Shqiptarja.com dy ditë më parë.
Ndërsa, në njoftimin e sotëm, bie alibia e grushtit.
“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit. Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shakllës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit,”- thotë ndër të tjera Policia e Shtetit, fjalë që pikë së pari mohojnë pjesën e grushtit dhe së dyti, ‘fajësojnë’ viktimën si iniciator të sherrit dhe përgjigjen e Përlleshit me thikë e paraqesin si vetëmbrojtje.
Reagimi i Policisë së Shtetit është ndjekur me një mbështetje të madhe nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, që në një status në profilin e tij në Facebook shprehet se mbështet çdo fjalë të uniformave blu, por e shtrin më tej reagimin, duke e kthyer në politike dhe duke e krahasuar me ngjarjen e Pogradecit, vrasjen e Egli Progës.
“Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës "Fan Noli" dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik. Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.
Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit. Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes.
Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së policisë. Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh,”- shkruan Hoxha.
Në fakt, po të mos ishte për shkrimet në media, Proga do të ishte varrosur si një kalimtar i gjetur i vdekur në rrugë. Ngjarja e Progës që mbushi rrugët me qytetarë që protestuan dhe kërkuan drejtës, nisi pasi motra e tij ngriti zërin, një zë që gjeti vend në media dhe që nxiti hetimet e mëtejshme që zbuluan të vërtetën e vrasjes së babait të dy fëmijëve.
Të njëjtën gjë mund të themi edhe për vrasjen e Martin Canit. ZËRI u informua nga dëshmitarë okularë për përgjakjen e ndodhur brenda kangjellave të shkollës “Fan Noli”, denoncim që u mphua fillimisht nga Policia e Tiranës dhe u raportua si një ‘sherr fëmijësh’.
Denoncimet e mëtejshme, duke bashkangjitur me deklaratat e të pranishme, zbuluan se në fakt në këtë sherr që u mbyll me një viktimë dhe një të plagosur, kishte dështuar i gjithë zinxhiri i institucioneve arsimore.
Dyert e shkollës “Fan Noli” ku u mbajt një seancë dëgjimore “Për të drejtat e fëmijëve” vetëm dy ditë para se të ndodhte krimi, u lyen me gjakun e vetë atyre fëmijëve.
Në gjithë këtë përmbledhje, për ta plotësuar ‘puzzle’-n, mungojnë vetëm pamjet nga momenti i sherrit, pamje që do t’i jepnin përgjigje pikë së pari familjes Cani që humbi një fëmijë dhe familjes Meçe që ka të drejtë të dijë se kush ia ka qëlluar fëmijën dhe do t’i jepnin fund çdo aludimi për punën ose mungesën e punës, për neglizhencën apo jo të Policisë së Shtetit.
Por, ‘ruajtja e sekretit hetimor’ nuk ka vlejtur kurrë më shumë se sot, që po pengon edhe vetë prindërit e Meçes të shohin momentin e përleshjes!
Në një prononcim për ZËRI-n, babai i Luis Meçes, Fiqiri Meçe tregoi se as ai dhe as dy avokatët e tij që po e ndjekin çështjen, nuk janë njohur me këto pamje, por vetëm me momentin që hyjnë fëmijët në shkollë dhe dalin prej saj.
Askush nuk po kërkon që Policia e Shtetit të thyejë ‘ruajtjen e sekretit hetimor’, autoritetet mund të mjaftohen duke ua treguar familjeve apo avokatëve të tyre përkatës këto pamje dhe rrjedhimisht nëse prej tyre nuk do të ketë pretendime dhe paqartësi, as në media nuk do të ketë deklarata të tyre që flasin për autor të dytë apo apele për të vendosur drejtësinë në vend./ZËRI