TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule pranë biznesit KMY në Tiranë. Mësohet se mishi i pulës gjatë procesit të ngrirjes dhe shkrirjes qëndron në tokë, ndërsa magazinimi i tij është bërë pranë një ambienti që ka prezencë myku dhe ndryshku. Bëhet me dije se AKU Tiranë ka bllokuar aktivitetin e biznesit KMY deri në plotësimin e kushteve higjeno-sanitare.
Ndërkohë, inspektorët kanë zhvilluar një tjetër aksion në operatorin e biznesit të ushqimit “Bonum”, ku kushtet e baxhos ku prodhohej djathi ishin jashtë standardit higjeno-sanitar, muret me lagështirë dhe myk. Ndaj kompanisë Bonum, AKU vendosi masë administrative me gjobë 300 mijë lekë të reja dhe bllokim të produktit.
Bëhet me dije se produktet e pulës të kompanisë KMY dhe djathi Bonum do të asgjesohen. Inspektorët e AKU-së njoftuan se gjatë kontrollit në baxhon e kompanisë Bonum kanë bllokuar një sasi prej rreth 329 kg djathë të bardhë dhie, që ishte në gjendje në këto ambiente.
Kjo nuk është hera e parë që AKU bllokon produkte në tregun Agro-Ushqimor. Pasi, edhe në muajin shkurt u bllokuan disa qindra kilogramë produkte bulmeti në një baxho në Fier dhe Tiranë, ku si rezultat u bllokuan: 197.5 kg produkte të pasigurta (djathë kaçkavall dhe fruta të thata) dhe 2214.2 kg produkte pa etiketë ose me etiketim të parregullt (sallam dhe fruta të thata)./ZËRI