
BRITANI E MADHE-Shqiptarët kanë gjetur një metodë e re të trafikut të emigrantëve për në Angli. Dailymail në një artikull së fundmi ka sjellë rastin e një trafikimi të emigrantëve, duke zbuluar dhe skemën e re. Një jaht luksoz i marrë me qira në Francë është përdorur nga trafikantë ndërkombëtarë për të transportuar emigrantë shqiptarë ilegalisht drejt Britanisë së Madhe.
Jahti, i quajtur Tacoma dhe me vlerë 70,000 paund, ishte marrë me qira në prill nga një burrë me pasaportë austriake, për një udhëtim të supozuar turistik përgjatë bregut të Bretanjës. Pasaporta e tij, të dhënat e identitetit, certifikata e tij detare, gjithçka dukej në rregull, kur e mori me qira jahtin për pushime dyjavore me miqtë. Por shumë shpejt, pas nisjes nga porti francez, drejtuesi i kompanisë, Valery Roue, vuri re përmes pajisjeve të gjurmimit se jahti kishte devijuar kursin drejt brigjeve britanike.
Më 13 prill, Forca Kufitare Britanike ndërhyri pranë grykëderdhjes së lumit Helford, afër Falmouth-it, dhe ndaloi jahtin. Në bord u gjetën 17 emigrantë shqiptarë, përfshirë një grua, që po përpiqeshin të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Mendohet se ata ishin marrë nga një vend i fshehtë në bregun francez pak pas nisjes së jahtit.
Sot, “austriaku” që mori me qira anijen është zhdukur. Ai po kërkohet nga policia britanike dhe franceze në të gjithë Evropën dhe Ballkanin sepse një nga dokumentet që ai përdori për qiranë e jahtit tregon se ai është me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Incidenti i ka bërë autoritetet britanike dhe franceze të imigracionit të japin alarmin se jahtet franceze me qira janë vënë në shënjestër për të sjellë emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar. Autoriteti doganor francez u ka dërguar një 'alarm të lartë' të gjitha kompanive të anijeve me qira përgjatë bregdetit të Bretanjës, duke i paralajmëruar ato të jenë vigjilente ndaj bandave të kontrabandës së emigrantëve që mund të përpiqen të marrin me qira ose thjesht të vjedhin jahtet e tyre.
Ky nuk është rasti i vetëm i trafikut të emigrantëve me jaht këtë pranverë. Më 8 maj, një jaht tjetër i ngjashëm me Tacoma-n, i marrë me qira 14 milje larg nga La Trinité-sur-Mer, u gjet i braktisur në bregun britanik. Mendohet se edhe në këtë rast emigrantët, të cilët sipas autoriteteve janë gjithashtu shqiptarë, kanë zbritur fshehurazi në Britani./ZËRI