TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbajtur një seancë për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Pavarësisht kërkesës së Metës, presidenti i Partisë së Lirisë do të vazhdojë që të qëndrojë në qeli deri në përfundimin e gjykimit të dosjes së tij. Pas seancës, avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani e ka cilësuar vendimin e Apelit të GJKKO-së si të paprecedentë referuar këtu muajve të qëndrimit në paraburgim pa afat pa përfunduar ende hetimet.
"Presidenti ka 9 muaj në paraburgim, është e paprecedentë që Presidenti i Republikës të qëndrojë 9 muaj në paraburgim pa përfunduar hetimet. Po mbahet në kushtet e një persekutimi politik, ju e dini mirë se çfarë po heq ai sot në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat elementare siç janë ato e ushtrimit të telefonatave me kolegët, apo anëtarët e Kryesisë apo familjes së tij. Meta është aty do të përballet me të gjithë, është një individ që nuk mposhtet kollaj. Meta do të vazhdojë të përballet me këta,"-thotë Kujtim Cakrani.
Ndërkohë edhe pse në qeli, një reagim ka ardhur edhe nga vetë Meta. Sipas tij, ndaj tij, SPAK nuk ka dhe as nuk ka për të gjetur ndonjë provë.
"Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”. Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit. Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së. As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta. Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese. Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS. Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen. Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë. Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë,"-shkruan Meta në rrjetet e tij sociale.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI