
TIRANË- Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar artikuj lajmit të mbylljes së platformës “Tik Tok” në Shqipëri. Corriere, Reuters, Bloomberg, Reppublica dhe The Guardian shkruajnë për masat e marra nga qeveria shqiptare, vetëm një muaj pas vrasjes së Martin Canit në shkollën “Fan Noli”.
“Shqipëria ka njoftuar një ndalim për një vit të TikTok pas vrasjes së një adoleshenti muajin e kaluar që ngjalli frikën mbi ndikimin e mediave sociale te fëmijët. Edi Rama, kryeministri konfirmoi ndalimin, pjesë e një plani më të gjerë për t'i bërë shkollat më të sigurta, pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit nga i gjithë vendi. “Për një vit, ne do ta mbyllim plotësisht atë për të gjithë. Nuk do të ketë TikTok në Shqipëri”, tha Rama. TikTok nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment jashtë orarit normal të punës,”- shkruhet në një prej artikujve.





Sot qeveria shqiptare ka marrë vendimin për mbylljen e platformës së “Tik Tok” në Shqipëri. Lajmin e bëri me dije vetë kryeministrin Edi Rama, në fjalën që mbajti pas një mbledhjeje të gjatë me prindër e mësues. Mbyllja e “Tik Tok”, erdhi pas vrasjes së Martin Canit, 14-vjeçarit që u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi, i cili është arrestuar.