Aktualitet

Mediat italiane: Pakti Shqipëri-Itali, një model i mirë në BE për të zgjidhur krizën e azilantëve

Edhe pse marrëveshja Itali-Shqipëri është kundërshtuar brenda Italisë nga opozita dhe gjyqësori, jashtë saj po shihet si një prej modeleve më të avancuara

F.I
Mediat italiane: Pakti Shqipëri-Itali, një model i mirë në
FOTO ILUSTRUESE

ITALI-Menaxhimi i krizës së emigracionit është një nga problematikat kyçe për vendet e Bashkimit Europian. Qendrat për përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së, të ngjashme me ato që Italia po ndërton në Shqipëri, po përkrahen gjithnjë e më shumë nga disa shtete anëtare.

Il Giornale shkruan se Danimarka, Franca dhe Gjermania po bëjnë thirrje për qendra të jashtme për të përpunuar kërkesat për azil dhe për të lehtësuar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm në Evropë, ashtu siç po përpiqet të bëjë Italia me qendrat në Shqipëri.

Raportohet se takimi i fundit joformal i ministrave të Brendshëm të BE-së në Kopenhagen u fokusua te nevoja për krijimin e qendrave të jashtme në vende jashtë BE-së, që do të përpunonin kërkesat për azil dhe do të lehtësonin riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar se “ata që vijnë nga jashtë, kryejnë krime të rënda dhe nuk respektojnë mënyrën tonë të jetesës, nuk kanë vend në Evropë dhe duhet të dëbohen.”

Ministri danez i Imigracionit, Kaare Dybvad Bek theksoi se sistemi aktual i azilit në Evropë është në krizë dhe se nevojiten zgjidhje të reja dhe marrëveshje me vende të treta për të përshpejtuar riatdhesimet. Ai përmendi marrëveshjen Itali-Shqipëri si një iniciativë që ecën në këtë drejtim dhe që mund të shërbejë si pikë referimi për vende të tjera anëtare të BE-së, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme në Itali.

Në Gjermani, sipas të dhënave të përmendura nga Bek, aktualisht jetojnë rreth 300 mijë persona që kanë marrë përgjigje negative për azil dhe që duhet të riatdhesohen. Në këtë kontekst, edhe propozimet për qendra të ngjashme në vende si Ruanda janë në shqyrtim. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e përshëndeti qasjen e re si “tërësisht të nevojshme” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet partnere për zbatim efektiv të këtyre politikave. Ai shtoi se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga vendet individuale ka qenë i vështirë, por nëse ndërmerren në nivel evropian, ato mund të japin rezultate më të mira.

Franca gjithashtu ka shprehur mbështetje për këtë model. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Reitailleau, ka deklaruar se, ndonëse Franca përballet me kufizime kushtetuese, ajo nuk ka pengesa në parim për qendrat e riatdhesimit dhe mbështet çdo iniciativë që e bën procesin më efektiv.

Edhe pse marrëveshja Itali-Shqipëri është kundërshtuar brenda Italisë nga opozita dhe gjyqësori, jashtë saj po shihet si një prej modeleve më të avancuara për t’i dhënë një përgjigje konkrete krizës së migracionit dhe për të ndihmuar në krijimin e një modeli të përbashkët evropian.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Afati maksimal i qëndrimit të emigrantëve në kampin e Gjadrit, do jetë 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin./ZËRI

Poll

MOS HUMB