
GREQI- 41-vjeçari shqiptar arriti të bënte një telefonatë pak para se të jepte frymën e fundit në Rafinë. Altin Arapaj arriti ta telefononte gruan e tij dhe t’i thoshte se ishte qëlluar me armë në fytyrë.
“Më qëlloi Keli. Më ndihmo. Kërko dhe më gjej,”-i tha ai në fjalët e fundit. Kështu, gruaja e tij arriti, nëpërmjet një aplikacioni të posaçëm, të gjente vendndodhjen e telefonit celular dhe njoftoi Policinë.
Sipas informacioneve më të fundit, gruaja e tij e dinte i shoqi i saj do të takohej me një burrë. Ai u gjet dhe u shoqërua. Gjatë dëshmisë së tij, ai i zbuloi Policisë se 41-vjeçari u takua edhe me një burrë tjetër, i cili ka të ngjarë të jetë autori i krimit.
Ndaj, Policia shkoi në një apartament AirBnB në Glyka Nera, ku u gjet dhe u arrestua 46-vjeçari nga Vlora, Mikel Selimaj, i cili akuzohet për vrasjen e 41-vjeçarit Altin Arapaj, i cili u gjet i vdekur në një vresht në Rafina. Ekipet e emergjencës iu përgjigjën thirrjes së pronarit të shtëpisë me qira, i cili kishte frikë se diçka e keqe i kishte ndodhur qiramarrësit, sepse ai nuk kishte treguar shenja jete që nga mëngjesi.
Policia u përpoq ta hapte derën me çelësat rezervë të pronarit dhe me ndihmën e një tekniku, por 46-vjeçari më në fund ua hapi, dhe më pas ata kuptuan se kishin përpara personin e kërkuar për vrasje. Autori i krimit, viktima dhe dy burra të tjerë, gjithashtu nga Shqipëria, të cilët po kërkohen, ishin takuar pak kohë më parë në plazhin e Lucës dhe të gjithë hipën së bashku në makinën e 46-vjeçarit. Ata bënë një ndalesë në fushë dhe aty viktima dhe autori u grindën. Në këtë moment, 46-vjeçari e qëlloi me armë në faqe.
Viktima dhe autori kanë precedentë për drogë, ndaj edhe besohet se prishja e pazareve për lëndët narkotike janë motivi i vrasjes./ZËRI