
TIRANË- Fiqiri Meçe, babai i Luis Meçes pretendon se dikush po ndërhyn që autori i vrasjes së Martin Canit të mos marrë dënimin e merituar nga drejtësia. Sot, vetë Luis Meçe ka qenë present në seancën gjyqësore, në të cilën kanë dëshmuar shokët e Martin Canit, mes tyre edhe Luis Meçe që u përfshi në konflikt.
Në një prononcim për EuroNews, Fiqiri Meçe rrëfen se prokurorja Alma Çelaj kishte ushtruar presion mbi fëmijët pasi donte të dilte në konkluzionin që Meçe dhe Cani kanë folur bashkë një natë para krimit, për takimin që do të zhvillonin me Mario Përlleshin.
“I thashë zonjës prokurore se djemtë kanë ardhur me mua nga Kavaja dhe nuk kanë qenë vetëm. Luisi ka fjetur që në orën 9. Ajo më tha ti nuk e di se çfarë kanë folur ata në darkë. Pretendimi i prokurores ishte që Martini dhe Luisi kanë biseduar të dielën në darkë për tu organizuar për takimin e së hënës me Marion. Aty reagova dhe i thashë se djemtë nuk kanë folur në darkë, ndërsa ajo më tha që ti nuk di se ke fjetur. U revoltova dhe i thashë: ‘Më fal, por ti nuk mund të më ofendosh mua në këtë mënyrë, sepse je pikërisht ti që ke fjetur mbi dosje për 6 muaj, ndërsa ne po na digjet shpirti për ata fëmijë’. Ditën e dielë ata nuk kanë komunikuar në darkë, kanë qenë në Kavajë, kanë pasur ndeshje futbolli dhe i kam sjellë në Tiranë, kanë qenë me mua”, tha babai i Luisit.
Fiqiri Meçe shton gjithashtu se ka pasur disa elementë gjatë seancës që e bënin të mendonte se duan që të mos e zbardhnin çështjen, pasi sipas tij prokuroria u nxeh dhe e nxorri jashtë.
“Ishin disa arsye, u nxeh dhe më nxorri jashtë. Më tha dil dhe qetësohu,”- shtoi Meçe.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por mbijetoi. Përlleshi është në pranga. /ZËRI