
TIRANË-Sot do tëmbahet protesta e thirrur nga opozita kundër mbylljes së platformës TikTok. Partia Demokratike ka kërkuar dy orë leje për protestën, ecila do të mbahet para godinës së kryeministrisë, konkretisht nga ora 19:00 deri në orën 21:00.
Ndërkohë policia ka bërë gati edhe planin e masave për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ku do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre. Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre. Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë.
Rrugët që do të bllokohen:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është njoftuar nga përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për zhvillimin e një tubimi, më datë 15.03.2035, nga ora 19:00 deri në orën 21:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, më datë 15.03.2025, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Çfarë po ndodh me platformën Tik Tok
13 marsi duhet të kishte qenë dita e fundit e "TikTok" në Shqipëri! Por rrjeti është ende aktiv për 1.5 përdoruesit nga Shqipëria që kanë akses në këtë platformë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike kishte vënë datën 13 mars si afatin fundor që kompanitë e internetit të merrnin masat e nevojshme për bllokimin e aksesit në TikTok, por duket se arritja e këtij qëllimi kërkon më shumë kohë. AKCESK ka bërë me dije se ka nisur nga puna për bllokimin e rrjetit social, por kërkojnë më shumë kohë, të paktën 10 ditë.
Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë. Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI