
TIRANË- Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka bërë sot një denoncim. Në rrjetet e tij sociale, Blushi shkruan se dy politikanët janë ndaluar nga SPAK që të shkojnë dhe të vizitojnë në burg kreun e PL-së. Bëhet fjalë për kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe eurodeputetin e "Neademokracia", Fredi Beleri. Po sipas Blushit, ligji e thotë qartë që të burgosurit mund të vizitohen pa autorizim, por në këtë rast, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka ndaluar.

"Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët. Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “veglë qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe që si mision të vetëm ka izolimin në ekstrem, arrestimin, hetimin, përndjekjen dhe shantazhimin e drejtuesve të opozitës në funksion të axhendave elektorale, politike dhe personale të Shefit të Organizatës Mafioze që qeveris sot vendin. Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet. Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!,"-shkruan Tedi Blushi.
Pas publikimit të denoncimit nga Blushi, Prokuroria e Posaçme ka bërë një sqarim për mediat. Sipas tyre, vizitat e deputetëve nuk kërkojnë autorizim nga Prokuroria, por "leja" në këtë rast është kompetencë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Po ashtu, sqarojnë se në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit. Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish./ZËRI