
TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar administratorin e një "call center-i" dhe ka proceduar penalisht 13 operatorë. Në kuadër të operacionit "Location", Policia ka zbuluar një ambient të përshtatur si "call center", ku punonjësit telefonin dhe mashtronin shtetasit e thuaj duke i bindur që të investojnë në bursa. Gjatë kontrollit në banesë, Policia u ka sekuestruar pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit operacioni policor i koduar “Location”. Zbulohet një ambient i përshtatur si call-center, me anë të cilit mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive. Vihet në pranga administratori i ambientit dhe procedohen 13 operatorë, mes tyre dhe shtetas të huaj. Sekuestrohen pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 39 vjeç. Shtetasi R. L., administronte një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Themistokli Gërmenji”, të cilin e kishin përshtatur si call center. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë 13 operatorë gjatë kohës që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./ZËRI