
TIRANË- Chris LaCivita, i cili do të drejtojë fushatën e Partisë Demokratike, ka refuzuar të komentojë rreth ndërtimit të resortit luksoz në ishullin e Sazan nga dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner. Ky i fundit u zgjodh investitor strategjik nga qeveria shqiptare, dhe do të ndërtojë në vendin tonë një resort lukszos prej 1.4 miliardë dollarësh. LaCivita, i cili ka drejtuar fushatën e Donald Trump dhe ka pasur kontakte të afërta me të, tha për “Syri TV” se nuk është përfshirë në çështjet e biznesit rreth anëtarëve të familjes së Trump. Aq më pak të vajzës së tij Ivanka Trump dhe dhëndrit të tij Kushner, dhe për këtë arsye nuk mund të jap komente rreth kësaj. LaCivita më tej shtoi se është këtu për të drejtuar fushatën zgjedhore të opozitës.
“Nuk mund të flas për këtë çështje sepse nuk jam i përfshirë në aspektet e biznesit, se çfarë bëjnë disa anëtarë të familjes… megjithatë e kuptoj se çfarëdolloj biznesi në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar, çfarëdolloj zhvillimi, tani apo në të ardhmen, patjetër që do të sjellë fitime për njerëzit. Megjithatë ajo që është me rëndësi është fakti që gjithçka të organizohet me transparencë, në mënyrë të drejtë, të kuptohet se në çfarë forme funksionojnë. Megjithatë është e vështirë mendoj që njerëzit të kenë besim te qeveria e tyre në qoftë se opozita futet në burg dhe i ndalohet të marrë pjesë në zgjedhje…dhe kjo është një prej arsyeve pse ne duhet t’i ndryshojmë gjërat,”- tha ai.
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë përpara betimit të dytë të Trump, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak që Kushner të zhvillonte një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Sazan, ishulli i vetëm i Shqipërisë në Mesdhe. Është një nga investimet më të profilit të lartë deri më sot nga firma e tij private e kapitalit, Affinity Partners, të cilën Kushner e ngriti menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite.
Në mars të vitit 2024, Kushner kishte publikuar në rrjetet sociale dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri. Kushner kishte deklaruar se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, që gjendet në Detin Mesme, në një destinacion luksoz për turistët. Sazani është kryesisht i braktisur dhe aktualisht është bazë ushtarake dhe gjysmë i hapur për publikun. Dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë. /ZËRI