
LONDËR- Episodi më i fundit i serialit “Manhunt” nga Channel 4, riktheu vrasjen makabre të 37-vjeçarit britanik Christopher Hughes nga një bandë kriminale, mes tyre edhe shqiptarë. Sipas pamjeve të transmetuara Hughes, futet me forcë në një makinë, më pas zhduket pa lënë gjurmë.
Por çfarë ndodh me 37-vjeçarin gjatë kësaj kohe?
Christopher Hughes u gjet i vdekur më 22 shkurt 2022, pranë një rruge në Skelmersdale, Lancashire. Asokohe ai ishte akuzuar gabimisht për përdhunimin dhe kërcënimin me thikë të një adoleshenteje. Pasi u rrëmbye nga rruga dhe u fut me forcë në bagazhin e një makine, ai u godit më shumë se 90 herë nga 8 persona. Policia e Manchesterit zbuloi se Christopher nuk ishte autori i përdhunimit dhe kjo provohej nga provat e ADN-së. Por banda "mori ligjin në duart e saj".

Sipas policisë, banda filloi ta kërkonte më 17 shkurt 2022. Ata madje hynë në shtëpinë e Christopher-it përpara se ta rrëmbenin atë në mes të ditës. Christopher u pa në Wigan's Almond Grove më 18 shkurt 2022, ku Curtis Balbas dhe Erland Spahiu e detyruan të futej në bagazhin e një makine.
Më pas ai u dërgua në White Moss Road South në Skelmersdale, ku ai u "dhunua brutalisht dhe u vra si një akt ndëshkimi". Prokurori John Elvidge KC tha se mbrëmjen e vrasjes, se Dean O'Neill Davey, Andrius Uzkuraitis, Spahiu dhe kushëriri i tij, Erion Voja, tentuan të fshehin trupin e Christopher.
Ata u përpoqën ta varrosnin, por gjithë plani u ndërpre nga policia, e cila u ndodh rastësisht aty pasi po hetonte një aksident rrugor aty pranë. Në përpjekjet e tyre për të mbuluar gjurmët e krimit, banda shkatërroi CCTV, ndërroi telefonat, fshiu mesazhet dhe asgjësoi makinën e përdorur në rrëmbim. Në pamundësi për të përfunduar varrosjen, ata e braktisën trupin e tij, i cili u zbulua 4 ditë më vonë nga një person që po shëtiste qenin.
Çfarë ndodhi me vrasësit e Christopher Hughes?
Në shkurt 2023, tetë anëtarët e bandës morën dënime deri të përjetshme në varësi të roleve të tyre në rrëmbimin dhe vrasjen brutale të Christopher. Gjatë dënimit, Justice Wall e përshkroi krimin si "brutal dhe pjesërisht sadist", duke theksuar vuajtjen e viktimës nga të paktën 90 plagë me thikë dhe prerje.
Balbas, 30 vjeç, një kurd irakian nga Matheson Drive, Worsley Hall, u dënua të paktën me 34 vjet. Ai u deklarua fajtor si për rrëmbim ashtu edhe për vrasje, ndërsa të tjerët Spahiu u dënua me 35 vjet, ndërsa 34-vjeçari Smith nga Greenwood Avenue u dënua me 33 vjet. Pesë të pandehurit e mbetur u dënuan mbi bazën se kishin për qëllim të shkaktojnë lëndime të rënda trupore.
Alan Jaf, 52 vjeç, nga Ridyard Street, dhe Khalil Awla, 48 vjeç, nga Greenwood Avenue, iu dha një dënim minimal prej 26 vjetësh. Ata kishin në pronësi dhe drejtonin M6 Motors në Wigan, ku Audi i përdorur në krim u mor dhe u shkatërrua.
Të dy burrat ishin të martuar me motrat e Balbas. Razgar Mohammed, 40 vjeç, nga Plane Avenue u dënua me 27 vjet burg. O'Neill-Davey, 30 vjeç, nga Conrad Close, u dënua me të paktën 25 vjet burg, ndërsa 21-vjeçari Erion Voja, nga Peall Road, Croydon, u dënua me një minimum prej 23 vjetësh. Një tjetër i pandehur, 27-vjeçari lituanez Andrius Uzkuraitis, nga Holly Road, Worsley Hall, u lirua nga akuzat e vrasjes, rrëmbimit. Ai u dënua me gjashtë vjet. /ZËRI