Aktualitet

Luan Leka i Kakomesë me pretendime: Banorët na kanë dëmtuar, kemi leje ndërtimi

Në një deklaratë publike, kompania e cilëson ngjarjen si një akt dhune ndaj pronës private dhe mohon pretendimet se qytetarëve u është bllokuar aksesi në plazh.

zh.ll
Luan Leka i Kakomesë me pretendime: Banorët na kanë dëmtuar,
foto ilustrim: luan leka-pamje nga protesta

SARANDË- Kompania “Riviera Kakome”, në pronësi të biznesmenit Luan Leka, ka reaguar pas incidentit të së dielës në zonën e Kakomesë, ku banorë të Nivicës dhe Shën Vasilit dëmtuan rrethimin e një prone private, të cilën ata pretendojnë se u përket.

Në një deklaratë publike, kompania e cilëson ngjarjen si një akt dhune ndaj pronës private dhe mohon pretendimet se qytetarëve u është bllokuar aksesi në plazh. Sipas saj, kufizimi lidhet vetëm me truallin e rrethuar me leje ndërtimi, ndërsa rruga drejt detit mbetet e lirë dhe e aksesueshme.

“Riviera Kakome” thekson se prona është blerë nga shteti përmes procedurave ligjore dhe se rrethimi është ndërtuar me leje të institucioneve kompetente. Kompania shton se ka nisur mbledhjen e provave për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës.

Në deklaratë hidhen poshtë edhe pretendimet se banorët e Nivicës janë pronarë të tokës në Kakome: "Së pari duhet të dihet që pretendimi i tyre u rrëzua si i pabazë në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.?"

Deklaratë për media, datë 22 Qershor - Shoqëria Riviera Kakome shpk

Ditën e djeshme, e diel 21 Qershor, disa dhjetra njerëz të pajisur me vare dhe mjete të tjera shkatërrimtare vërshuan në truallin privat të Kakomesë duke shkatërruar gjithcka mundën. Megjithëse porta ishte e hapur, e shkatërruan, vazhduan me rrethimin, kabinën e rojeve dhe gjithcka që gjetën përpara.

Shoqëria Riviera Kakome shpk e denoncon këtë dhunë shkatërrimtare kundrejt një trualli privat të shitur nga shteti dhe një rrethimi të pronës të bërë me leje ndërtimi të lëshuar nga KKT.

Kemi sistemuar provat për ndjekjen penale të personave përgjegjës.

Besojmë që organet e ligjit do të bëjnë detyrën duke dënuar keqbërësit në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten.

JUSTIFIKIMI I DHUNËS

Është për të ardhur keq që dikush e justifikon dhunën me faktin që njerëzve ju është mohuar e drejta për të shkuar në plazh. Është një arsye e pavërtetë, e sajuar. Njerëzve kurrë nuk u është mohuar e drejta për të shkuar në plazh.

Mbas dhënies së lejes së ndërtimit dhe rrethimit të truallit privat u është ndaluar hyrja në pronën private. Ndërsa vajtja në plazh ka qenë gjithnjë e mundur në rrugën përgjatë rrethimit e cila ekziston prej shumë kohe.

Hyrja dhe përdorimi i plazhit ka qenë gjithnjë e lirë.

Gjithashtu e konsiderojmë të rëndë faktin që ndonjë media justifikon dhunën me shprehje të tilla si banorë të Nivicës, pronarë të tokave në Kakome, kanë shembur rrethimin” E konsiderojmë të papërgjegjshme një shprehje të tillë, mbasi është detyrë e cdonjërit që publikon dicka, të analizojë fillimisht të vërtetën. E kemi shpjeguar më parë, por na duket me vend ta përsërisim “Të vërtetën mbi Kakomenë”.

Nuk ka banorë të Nivicës pronarë të tokës në Kakome.

Po ju bëjmë me dije përsëri cfarë ka ndodhur.

Kontestimi i grupit të vetëquajtur Bashkësia e fshatit Nivicë për njohjen e disa pronave, të cilësuara “ ish Kullota” të ndodhura 10-15 km larg fshatit, padrejtësish pa asnjë arsye, bllokoi projektin e resortit në Kakome.

Së pari duhet të dihet që pretendimi i tyre u rrëzua si i pabazë në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.

Por më interesant është një fakt tjetër. Në kërkesën për njohjen e pronave, ish kullota, nga banorët e Nivicës, shkruheshin qartë kufijtë e pronave të pretenduara dhe konkretisht:

“Kufirin Perëndimor i kullotave ishte Manastiri i Kakomesë” (sipas tyre bazuar në një marrëveshje me shtetin turk në kohën para pavarësisë).

Ndërkohë, mjafton të shihni hartën, për të konstatuar lehtësisht, që trualli i Kakomesë fillon disa qindra metra më në perëndim të Manastirit.

Në konkluzion:

Banorët e Kakomesë nuk kanë qënë kurrë pronarë të truallit të Kakomesë, dhe as pretendues të pronësisë.

Fatkeqësisht mesa duket, banorët e fshatit Nivicë nuk duan t’ja dinë për të vërtetën, mbasi u pëlqen të rrëmbejnë tokat private që të tjerët i kanë blerë.

Po roli i shtetit?

Theksojmë që ndodhi të tilla dhune ndaj pronave private, rojeve private, objekteve të ndërtuara me leje ndërtimi, shkelin rëndë ligjin dhe rrisin pasigurinë për investime në vend.

Pasiguria për investime, mos mbrojtja e tyre nga dhunuesit, dëmton rëndë zhvillimin e turizmit dhe të vetë këtyre rajoneve të vendit.

Për më tepër gjenerohen edhe konflikte sociale, të cilat shteti ka detyrën ti evitojë.

Për këto arsye kërkojmë nga institucionet e shtetit të bëjnë detyrën e tyre, duke dënuar së pari shkaktarët e këtyre dhunimeve të pronës, të ligjit dhe të rendit.

Të dielën e 21 qershorit, ashtu siç ishte paralajmëruar, banorë të Nivicës, të mbërritur nga qytete të ndryshme të vendit dhe emigrantë protestuan në Kakome. Protesta nisi me shembjen e rrethimin që ndalonte hyrjen drejt plazhit, ku sipas pretendimeve të banorëve, rrethimi i vendosur prej 22 vitesh, nuk i lejonte të shkonin në tokat e tyre dhe pushuesit vendas dhe të huaj të bënin plazh.

Ndërkohë, dy ditë para protestës së të dielës, në 19 qershor, u hoq edhe porta porta e hekurit, e cila prej vitesh kufizonte hyrjen drejt plazhit./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB