
TIRANË-Seanca e parashikuar për sot në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ligjin e Akademisë së Shkencave nuk është zhvilluar. Pavarësisht se përfaqësuesit e Partisë Demokratike ishin të pranishëm, administrata e gjykatës njoftoi se seanca nuk mund të mbahej për shkak të mungesës së një gjyqtari. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca e ardhshme të zhvillohet më 28 janar, në orën 10:00.
Pas shtyrjes së seancës, deputetja Ina Zhupa foli për gazetarët jashtë ambienteve të Gjykatës Kushtetuese, ku shprehu shqetësimin e saj për këtë ndodhi, duke e cilësuar si një vonesë të papritur dhe të çuditshme. Sipas saj, një njoftim i tillë duhet të ishte bërë më herët, duke shtuar se ky lloj funksionimi i gjykatës reflekton probleme të thella në procedurat dhe arsyetimet e saj. Zhupa theksoi se edhe një herë anti-kushtetueshmërinë e ligjit për Akademinë e Shkencave, pasi ka të bëjë me favorizime politike.
'Surpriza për ne, por gjithashtu edhe për ju që keni ndjekur për vite gjykatën kushtetuese, është se, pasi u sistemuam në sallën e gjyqit për të filluar procesin gjyqësor, na lajmëruan që një gjyqtar është sëmurë. Nuk dimë arsyet dhe as cili gjyqtar, dhe për këtë arsye do të duhet të anulonim seancën. Ne u lajmëruam në atë kohë, është pak e çuditshme, sepse besoj gjyqtari duhet të kishte lajmëruar që në mëngjes minimalisht, apo një ditë përpara, por e shikoj se kjo gjykatë kushtetuese po funksionon në një mënyrë të sëmurë, si për procedurat ashtu edhe për arsyetimet që jep në shumë vendime. Uroj që të mos jetë fati edhe i kësaj çështjeje. Ajo që na u la, seanca e radhës më 28 janar në orën 10 në Gjykata Kushtetuese. Uroj që të jetë kuorumi me të 8 anëtarët. Sot ishim përgatitur për të bërë parashtrimet tona. Kishim të gjitha provat shkresore, e-mail që janë shkëmbyer gjatë proceduarve në Kuvend. Ligji është anti kushtetues. Në substancë. Shkel themelin e kushtetutës. Gjithë akademikët janë të barabartë para ligjit. Risia që krijonte ky ligj, të gjithë 75-vjeçarët ktheheshin në akademikë emeritus që nuk drejtojnë dot, nuk mbikëqyrin dot. Por vetëm njëri prej tyre mund të jetë kryetar dhe ky është Gjinushi, që drejton, firmos, mbikëqyr. Të gjitha kafshët janë të barabartë por disa janë më të barabarta se të tjerët. Kjo figurë dihet për njohjet e veta politike. Çdo mbledhje e komisioneve e seancës plenare apo çdo procedurë jo sipas rregullores është nul. Procedurat për këtë ligji janë në shkelje. Relacioni në presidencë ka qenë pa firmat e relatorëve, jo sipas rregullores. Do e vazhdojmë betejën. Nuk lidhet me emrin e një personi. E keni parë si Rama kërkon të kapi çdo institucion, nuk do rotacion në asnjë institucion. Duan të kapin dhe Akademinë e Shkencave me njerëz politikë. Është në interesin e publikut që Akademia e Shkencave të jetë e pavarur, çdo akademikë të jetë i barabartë para ligjit,'-u shpreh Zhupa.
Padia në Kushtetuese u dorëzua nga deputetja Ina Zhupa, e cila u shpreh se në ligj janë evidentuar shkelje proceduriale dhe përmbajtjesore, që sipas saj garantojnë “vetëm futjen e hundës së politikës në Akademinë e Shkencave”./ZËRI