
SHKODËR- Përveç autorëve të ngjarjes, Policia e Shkodrës po kërkon edhe personin e tretë që ndodhej në vendin ku ndodhi masakra e Dobraçit që shkaktoi vdekjen e 4 personave. Për shkak se dyshohet që personi i tretë ishte në makinë me dy viktimat, Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, Policia ka ushtruar kontrolle në dy klinika private në Shkodër. Kjo pasi besohet se edhe personi i tretë që në videot nga vendi i ngjarjes shfaqet i gjakosur, mund të ketë mbetur gjithashtu i plagosur.
Sipas gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno, kontrollet janë kryer pas dyshimeve të arsyeshme se në këto klinika është paraqitur një person i plagosur dhe pas marrjes së shërbimit mjekësor është larguar sërish. Në dy klinikat policia ka pasur si qëllim të sekuestrojë pamjet filmike dhe material mjekësore, për të provuar nëse personi i plagosur është paraqitur në këto ambiente për mjekim ose jo. Por sërish duket se nuk ka asgjë të re. Megjithatë, po sipas gazetarit, ka dyshime se personi në fjalë mund të jetë një nga personat më të shumëkërkuar të Policisë së Shtetit, Ibrahim Lici.
Gjithashtu, nga makina me të cilin lëviznin të ndjerët janë marrë mostra të njollave të gjakut, shenja gishtash dhe dije floku për të zbuluar më shumë detaje për personin e tretë. Mesa duket deri më tani nuk po konsiderohet pista që personi të jetë një banor i zonës që ka shkuar në vendin e ngjarjes për t'i dhënë ndihmën e parë viktimave.
Sa i përket mënyrën sesi është kryer vrasja, ka të reja të tjera. Policia e Shkodrës ka konfirmuar se dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ditën e ngjarjes kanë hyrë në territorin Shqiptar nga Mali i Zi. Nga vendi fqinjë, atentatorët i kanë ndjerkur deri në Shkodër. Po sipas gazetarit, janë dy persona që besohet se kanë bërë ndjekjen e shënjestrave, të cilët kanë lënë gjurmë në pikën kufitare dhe janë identifikuar nga Policia. Mendohet se këta persona mund të jenë Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët janë shpallur në kërkim Policor nga "blutë" e Shkodrës.
Një tjetër detaj i zbuluar është se goditja e Licit dhe Bushatit ka ndodhur sapo kanë hyrë në lagjen Dobraç, pikërisht në të njëjtën rrugë ku u ekzekutua edhe i ashtuquajturi "kumbari i Shkodrës", Bardhok Pllanaj. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, makina që është përdorur nga vrasësit, ka dalë nga rrugica ku ndodhet shtëpia e Astmer Bilalit, i cili aktualisht ndodhet në burg si i arrestuar në dosjen “Metamorfoza”. 2 persona kanë shtënë në drejtim të mjetet "Benz" me targa kroate, ndërsa një tjetër ka qenë në drejtimin e mjetit.
"Deri në këtë fazë policia ka ngritur dyshime të forta se pjesëmarrës në këtë vrasje të paprecedentë në Shkodër, mund të kenë marrë pjesë S.Xh, D.M, E.H, si dhe 3 persona të tjerë që kanë pasur rolin e transportuesit dhe vëzhguesit. Nga ana e policisë Shkodër është kërkuar ndihmë e ndërsjellë dhe tek policia e Malit të Zi për të mësuar rreth lëvizjeve të Arlind Bushatit dhe Hamza Licit, në këtë shtet.,"-shkruan gazetari Qyno.
Por sërish, përveç njoftimeve të bëra në ditën e ngjarjes, Policia e Shkodrës nuk ka dalë me detaje të reja për ngjarjen që solli 4 viktima, mes tyre 2 të pafajshëm. Teksa Hamza Lici kishte humbur jetën në timon, makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës./ZËRI